Belgin Yakışan
09 Tetor 2018•Përditësim: 10 Tetor 2018
STAMBOLL (AA) - Ministri i Thesarit dhe Financave i Turqisë, Berat Albayrak, tha se sulmet spekulative ndaj ekonomisë së vendit të tij janë zmbrapsur pas muajit gusht dhe shtator, raporton Anadolu Agency (AA).
Ministri Albayrak, duke folur në aktivitetin e shpalosjes së Programit të Luftimit Total me Inflacionin, tha se me programin që do të shpalosin sot do ta avancojnë tutje besimin e investitorëve.
Ai rikujtoi se në muajin gusht Turqia është përballur me sulme spekulative të drejtpërdrejta ndaj valutës dhe ekonomisë së saj.
"Sulmet spekulative janë zmbrapsur pas muajit gusht dhe shtator", deklaroi ministri Albayrak.
Ministri turk i financave gjithashtu bëri të ditur se me këtë program nuk do të ketë rritje të çmimeve të energjisë elektrike dhe gazit natyror deri në fund të vitit, ndërsa qeveria do t'i mbështesë bizneset për të parandaluar shkarkimet e punëtorëve.
Albayrak tha se edhe kompanitë do ta mbeshtesin këtë program. "Të gjitaë kompanitë që do të marrin pjesë në këtë program, do të zbatojnë një zbritje minimale prej 10 për qind", u shpreh ai.
Sipas autoritetit statistikor të vendit, inflacioni vjetor i Turqisë arriti në 24,52 për qind në shtator, nga 17,90 për qind në gusht.
Gjatë pesë viteve të fundit, inflacioni vjetor kishte arritur nivelin më të ulët prej 6,13 për qind në prilltë vitit 2013, ndërsa shifra arriti nivelin më të lartë këtë shtator.
Siç është përmendur në programin e ri ekonomik të Turqisë të njoftuar muajin e kaluar, objektivi i normës së inflacionit të vendit është 20,8 për qind këtë vit, 15,9 për qind vitin e ardhshëm, 9,8 për qind në vitin 2020 dhe 6,0 për qind në vitin 2021.