Nazlı Yüzbaşıoğlu
08 Janar 2020•Përditësim: 08 Janar 2020
Ministri i Jashtëm i Turqisë, Mevlüt Çavuşoğlu, zhvilloi bisedë telefoike me homologun iranian Javad Zarif, transmeton Anadolu Agency (AA).
Sipas burimeve diplomatike, dy kryediplomatët kanë biseduar për zhvillimet në rajon.
Po ashtu, Çavuşoğlu i ka shprehur ngushëllime homologut të tij për viktimat e avionit të Linjës Ajrore të Ukrainës që sot u rrëzua në Iran.
Ndryshe, Çavuşoğlu gjatë ditës së nesërme do të zhvillojë një vizitë zyrtare në Irak “në kuadër të përpjekjeve të intensifikuara diplomatike për të lehtësuar tensionin e përshkallëzuar, pas zhvillimeve të fundit në rajon”.
Në orët e hershme të mëngjesit të sotëm, Irani lëshoi dhjetëra raketa balistike kundër ushtrisë amerikane dhe forcave të koalicionit në Irak.
Sulmi iranian erdhi pasi të premten e kaluar, kreu i forcës elitare Kuds të Gardës Revolucionare të Iranit (IRGC), Qasem Soleimani, mbeti i vrarë në një sulm amerikan me dron në Bagdad.
Vrasja e tij shënoi një përshkallëzim dramatik në tensionet midis SHBA-së dhe Iranit, që shpesh herë kanë qenë të nxehta që kur presidenti amerikan, Donald Trump, në vitin 2018 tërhoqi Washingtonin në mënyrë të njëanshme nga pakti bërthamor i vitit 2015 midis fuqive botërore dhe Teheranit.
Lideri Suprem i Iranit, Ali Khamenei, i cili vitin e kaluar i dha dekoratën e nderit më të lartë të vendit Soleimanit, është zotuar për “hakmarrje të rëndë” në përgjigje të vrasjes së tij.