Tuncay Kayaoğlu
12 Prill 2016•Përditësim: 12 Prill 2016
STAMBOLL (AA) – Terrori është njëra nga çështjet më thelbësore për çka bota islame duhet të thellojë unitetin dhe solidaritetin, deklaroi të martën ministri i Jashtëm turk Mevlut Çavusoglu, raporton Anadolu Agency (AA).
“Bota islame duhet të marrë një qëndrim karshi terrorit. Është detyrë e secilit musliman”, tha Çavusoglu në fjalimin e tij gjatë hapjes së takimit të ministrave të jashtëm të Organizatës për Bashkëpunim Islam (OIC), në Stamboll.
“Kjo sëmundje synon të armiqësojë muslimanët mes vete. Fatkeqësisht disa organizata terroriste përdorin emrin e religjionit tonë. Kështu rritet dëmi mbi muslimanët. Islami do të thotë paqe, prandaj nuk do të lejojmë që disa qarqe vrasëse të keqpërdorin fenë tonë”, tha Çavusoglu.
Ministrat e Jashtëm të shteteve anëtare të OIC-së janë takuar në Stamboll në vazhdën e përgatitjeve të një samiti më të madh i cili do të mbahet të enjten dhe të premten.
Çavusoglu tha se samiti po mbahet në një kohë mjaft delikate në të cilën bota islame po përballet me sfida të shumta përfshirë sektarizmin, luftën civile dhe terrorin, për të shtuar se kjo po pengon muslimanët që të adresojnë problemet me të cilat përballen në botë.
“Paragjykimi për muslimanët dhe islamin është në ritje. Islamofobia dhe ksenofobia janë gjithashtu në ritje. Si pasojë e kësaj muslimanët përballen me dhunë dhe padrejtësi”, tha Çavusoglu.
“Bota muslimane duhet të kritikojë vetveten” shtoi më tej ai.
Takimi ndërkombëtar, me temë "Unitetit dhe Solidaritetit për Drejtësi dhe Paqe", pritet të diskutojë mbi gjendjen në vendet e shumta myslimane, përfshirë Sirinë, Jemenin, Palestinën, Irakun, dhe Azerbajxhanin, si dhe luftën kundër terrorizmit.
Presidenti Recep Tayyip Erdogan do të mirëpres samitin e OIC-së të cilit do ti bashkohen president dhe kryeministra nga mbi 30 shtete.
I themeluar në vitin 1969 OIC përbëhet nga 56 shtete anëtare dhe përfaqëson zërin kolektiv të botës islame.
Samiti do tia dorëzojë Turqisë kryesimin për dy vitet e ardhëshme.