Yeşim Sert Karaaslan
09 Janar 2017•Përditësim: 10 Janar 2017
ANKARA (AA) - Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan ka mbajtur një fjalim duke iu drejtuar pjesëmarrësve në Konferencën e 9-të të ambasadorëve e cila u mbajt në rezidencën presidenciale në Ankara, raporton Anadolu Agency (AA).
Duke vënë në dukje se tentativa për grusht shteti më 15 korrik nuk ka qenë tradhtia e parë e kryer ndaj shtetit dhe popullit, Erdoğan është shprehur se "Përsa i përket objektivave, zbatuesve të saj dhe rezultateve, kjo tentativë e grushtit të shtetit është tradhtia më tinzare, më e pamatur dhe më e madhja. Kjo çetë duke u strukturuar brenda shtetit në fshehtësi, e cila ka grabitur mallin, pronën dhe bijtë e popullit tonë me retorikat 'donacione për bamirësi (himmet), shërbim dhe dialog' ka kryer aktin më të ulët terrorist në historinë tonë."
"Sigurisht që nuk është e lehtë të luftosh me një organizatë të tillë e cila është rritur brenda nesh si një qelizë kanceroze tinzare, dhe e cila në 25 vitet e fundit ka mbështjellë botën si një oktapod. Kjo luftë kërkon një kohë të gjatë, por ne kurrë nuk do të dorëzohemi dhe nuk do të biem në vetëkënaqësi", është shprehur Erdoğan.
Në fjalën e tij ai ka tërhequr vëmendjen në të drejtën e azilit për të cilën azilantët privohen dhe e cila i jepet anëtarëve të organizatës terroriste. "Nga e drejta e azilit teksa privohen të pafajshmit sirianë, të shtypurit e Arakanit, dhe afganët e afrikanët, kjo për anëtarët e FETO-s dhe të PKK-së serviret në tepsi. Ata që përzënë njerëzit që iu trokasin në derë, iu dalin në mbrojtje puçistëve dhe terroristëve famëkeq. Nuk më bën gjuha të them "mik", por sigurisht që ne mërzitemi përballë kësaj tabloje të pakëndshme të vendeve që ne i njohim të paktën si aleatë. Mund të vëreni se si një anëtar i organizatës terroriste të FETO-s i cili është në kërkim në vendin tonë mund të shkojë dhe të emërohet rektor në një universitet në Amerikë. Si mund të ndodhë kjo?"
Më tej duke rikujtuar se Turqia krahas FETO-s po lufton edhe kundër organizatës terroriste separatiste, DEASH-it dhe DHKP-C, Erdoğan ka shtuar "Qëllimi i këtyre organizatave terroriste është të tërheqë vendin tonë brenda një lufte besimi dhe me rrënjë etnike. Me sulmet e kryera këto organizata kanë patur në objektiv shtresa të ndryshme të shoqërisë sonë, ku dhe po përpiqen që zjarrin në Siri dhe Irak ta transportojnë në vendin tonë. Dëshirojnë të plagosin vendin nga ana e turizmit duke masakruar barbarisht mysafirët tanë. Pavarësisht të gjitha përpjekjeve që kanë treguar edhe pasi kanë marrë mbështetje nëpërmjet medias, politikës ata nuk kanë mundur ta arrijnë këtë."
"Çështja e islamofobisë dhe ksenofobisë e cila është shndërruar në një kërcënim serioz për sigurinë e qytetarëve tanë që jetojnë jashtë vendit tashmë është vendosur parësore në agjendën e shtetit tonë", ka shtuar më tej ai.
Pasi ka theksuar se Turqia do të vazhdojë të ndodhet në tryezë dhe në terren në lidhje me çështjet që kanë të bëjnë me sigurinë kombëtare të saj, Erdoğan, ka vënë në dukje: "Dëshiroj të shpreh se fatkeqësisht fokusi i aleatëve tanë dhe koalicionit në kohët e fundit ka mbetur në klasë në çështjen e luftës kundër DEASH-it. Nuk do të lejojmë kurrë që rajonet e çliruara përgjatë kufirit tonë jugor, të bëhen korridore të terrorizmit apo strehë e organizatave terroriste. Do të vazhdojmë kategorikisht të ndodhemi në tryezë dhe në terren në lidhje me çështjet që kanë të bëjnë me sigurinë tonë kombëtare. Gjithashtu nuk kemi mbetur dhe nuk do të mbetemi indiferent ndaj zhvillimeve në Irak."
Duke theksuar se me bisedimet e mbajtura në Moskë me Rusinë dhe Iranin po përgatisin bazën për procesin në Astana, Erdoğan është shprehur se "Armëpushimi aktual pavarësisht brishtësisë dhe shumë shkeljeve është një dritare shumë e rëndësishme e mundësisë. Pas një kohe të gjatë ka lindur një shpresë për vendosjen e paqes nëpërmjet procesit politik në Siri. Ne do të vazhdojmë të punojmë që ky proces të mos dëmtohet."
"BE-ja është ende një preferencë strategjike për vendin tonë"
Erdoğan në fjalën e tij ka tërhequr vëmendjen se bota është më e madhe se pesë, dhe se Evropa është më e madhe se Bashkimi Evropian. Ndër të tjera ai ka theksuar se "Nuk ka ndryshuar përparësia jonë që kemi dhënë në procesin e anëtarësimit të plotë në Bashkimin Evropian. BE-ja është ende një preferencë strategjike për vendin tonë. Teksa hedhim hapa drejt këtij objektivi, nuk mund të shprehim 'falenderime" për politikat me standarde të dyfishta të unionit. Përpjekjet janë të kuptimta nëse ato janë në mënyrë të ndërsjellë nga të dyja palët".