Büşra Nur Çakmak
09 Korrik 2021•Përditësim: 10 Korrik 2021
Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan, kritikoi grupin terrorist PKK dhe Partinë Demokratike Popullore (HDP), duke i quajtur ata "shfrytëzues" dhe "gjëja më e keqe që i ndodhi rajonit dhe popullit kurd në 1.000 vjet", raporton Anadolu Agency (AA).
Duke folur në ceremoninë e inaugurimit të një sistemi ujitje dhe 30 fabrika në provincën juglindore Diyarbakır të Turqisë, presidenti Erdoğan tha: "PKK ka vrarë ose rrëmbyer mbi 50.000 njerëz në 40 vitet e fundit. Ata kanë gjakun e vëllezërve dhe motrave tona në duart e tyre".
Ai gjithashtu tha se PKK dhe organizatat e saj terroriste të shoqëruara ishin fajtorë për "krime kundër njerëzimit" për rrëmbimin e vajzave 13-14 vjeç në malet e rajonit dhe abuzimin e fëmijëve.
"PKK është vrasësi më madh i kurdëve. PKK është arsyeja pse fshatrat evakuohen ose digjen", tha ai.
Ai gjithashtu akuzoi HDP-në për mbështetjen e terroristëve përderisa gjithashtu "flet për paqen, demokracinë dhe vëllazërinë pa ndjerë asnjë turp".
"Në cilën demokraci një anëtar i zgjedhur i parlamentit, ose një kryetar i bashkisë i zgjedhur ose udhëhësia e partisë, shkon dhe u raporton anëtarëve të grupit terrorist? Në cilën demokraci janë fondet e dërguara nga shteti për investime dhe shërbime të përdorura për vendosjen e minave në rrugë?", u shpreh presidenti Erdoğan.
"Çdo përpjekje kundër një vendi (nga PKK) mbështetet nga politikanët. Ata nuk janë mbështetës të vërtetë të demokracisë. Ata janë armiq dhe abuzues të demokracisë", shtoi ai.
Erdoğan nënvizoi se "agjenda e fshehtë dhe qëllimet e këqija të PKK-së dhe HDP-së" i dha fund një procesi paqeje që zgjati nga viti 2013 deri në 2015.
Ai gjithashtu njoftoi se burgu në qytetin Diyarbakır, "i cili ka qenë prej kohësh i lidhur me mizori, tortura dhe veprime çnjerëzore", do të shndërrohej në një qendër kulturore.
Në fushatën e saj terroriste mbi 35-vjeçare kundër Turqisë, PKK-ja, e listuar si një organizatë terroriste nga Turqia, SHBA-ja dhe Bashkimi Evropian (BE), ka qenë përgjegjëse për vdekjen e të paktën 40 mijë personave, përfshirë shumë gra, fëmijë dhe foshnja.
Qeveria turke thotë se HDP ka lidhje me grupin terrorist PKK dhe prokurorët kanë ngritur një padi në gjykatën më të lartë të vendit për të mbyllur partinë.
Më herët gjatë ditës, presidenti Erdoğan vizitoi familjet që protestojnë kundër PKK-së për rrëmbimin ose rekrutimin me forcë të fëmijëve të tyre. Familjet gjithashtu akuzojnë HDP-në për bashkëpunim në rrëmbimin ose mashtrimin e fëmijëve të tyre për t'iu bashkuar PKK-së.
Protestat jashtë zyrës së HDP-së filluan në shtator të vitit 2019 me tre nëna të cilat thanë se fëmijët e tyre ishin rekrutuar me forcë nga terroristët.
Duke folur me familjet, Erdoğan shprehu mbështetje për kauzën e tyre dhe tha se Ministria e Punëve të Brendshme dhe autoritetet e tjera do të vazhdojnë të punojnë në ribashkimin e tyre me fëmijët.