Meryem Göktaş
23 Dhjetor 2018•Përditësim: 23 Dhjetor 2018
STAMBOLL (AA) - Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan, ofroi ngushëllimet e tij Indonezisë, për shkak të cunamit vdekjeprurës që goditi vendin në orët e mbrëmshme të së shtunës, raporton Anadolu Agency (AA).
"Në emër të popullit turk, shpreh ngushëllimet tona për të gjithë popullin e Indonezisë", tha Erdoğan gjatë një takimi të Bordit për Marrëdhënie të Jashtme Ekonomike të Republikës së Turqisë (DEIK), në Stamboll.
Të paktën 222 persona kanë humbur jetën, ndërsa 843 të tjerë janë plagosur si pasojë e cunamit të ndodhur në Ngushticën Sunda të Indonezisë.
Kujtojmë se nga tërmeti 7,5 ballë dhe cunami në ishullin Sulawesi të Indonezisë, i cili ndodhi më 28 shtator, kishin humbur jetën mbi 2000 persona, ndërsa rreth 1500 konsiderohen të humbur.
Indonezia shtrihet në të ashtuquajturën "Unaza e Zjarrtë e Paqësorit", ku tërmetet dhe shpërthimet vullkanike janë të shpeshta.
Më 26 dhjetor të vitit 2004, Indonezia u godit nga një tërmet tejet i fuqishëm prej 9,1 ballë, i cili u pasua nga cunami, si pasojë e të cilit humbën jetën 230 mijë persona në një territor që përfshiu edhe shtete të tjera të rajonit.