Ekip
20 Tetor 2017•Përditësim: 21 Tetor 2017
STAMBOLL (AA) - Presidenti i Turqisë Recep Tayyip Erdoğan ka shprehur kritika për shpalosjen e posterit të kreut të burgosur të organizatës terroriste PKK, Abdullah Ocalan, në Rakka të Sirisë, pasi kontrolli i qytetit u mor nga PYD, krahu i PKK-së në Siri, e cila është mbështetur nga SHBA, raporton Anadolu Agency (AA).
Kur qyteti lindor Rakka në Siri u mor nën kontroll më herët këtë javë nga forcat e PKK/PYD-së, organizata terroriste shpalosi një poster me imazhin e kreut terrorist të burgosur Abdullah Ocalan në sheshin kryesor.
"Posterin e kreut terrorist e kanë varur në një vend në Rakka. Si do ta shpjegojë Amerika këtë? Ju thoni se PKK-ja është organizatë terroriste. Edhe vendet e Bashkimit Evropian e cilësojnë si organizatë terroriste. Në Francë, në ndërtesën e televizionit shtetëror, posterin e kreut terrorist e afishuan gjithashtu në të njëjtën mënyrë dhe policia vetëm shikon nga anash. Po këtë si do ta shpjegojnë...?", tha presidenti i Turqisë në një konferencë për shtyp, pas samitit të Organizatës G-8 për Bashkëpunim Ekonomik që u mbajt në Stamboll.
SHBA-të kanë mbështetur PYD-në, e cila me disa grupe të tjera veprojnë nën emrin Forcat Demokratike Siriane (FDS), ndërsa e konsiderojnë FDS-në si një "partner të besueshëm" në luftën e saj kundër DEASH-it dhe kanë vazhduar ta mbështesin me armë dhe pajisje, edhe përkundër kundërshtimeve të forta nga Turqia.
"A është ky solidarizimi në luftën kundër terrorizmit? Ndërkohë, kur zhvillojmë bisedime dypalëshe, ata shprehen se janë në anën tonë në luftën kundër terrorizmit. Ne nuk e besojmë një gjë të tillë, nuk ndodheni në anën tonë, sepse po të ishit nuk do t'i mbronit këto me policinë tuaj", theksoi Erdoğan.
Erdoğan bëri thirrje për sinqeritet mbi këtë çështje, duke iu referuar edhe marshimeve të ndryshme të organizatës terroriste PKK në Gjermani.
"Në Gjermani zhvillojnë marshim, ku nën praninë e policisë, të siguruar marshojnë së bashku me posterë dhe me brohoritje të çdo lloji. Nuk janë të sinqertë. Unë i bëj thirrje që fillimisht të jenë të sinqertë, pastaj të mos vijnë herë pas herë e të kërkojnë diçka nga ne. Duhet të dijnë se se çdo gjë ka një kundërpërgjigje", tha presidenti turk Erdoğan.