Ercan Canbolat
01 Qershor 2017•Përditësim: 01 Qershor 2017
ANKARA (AA) - Sot ka hyrë në fuqi marrëveshja e nënshkruar mes Turqisë dhe Ukrainës më 14 mars të këtij vitit për udhëtim reciprok vetëm me letërnjoftim të shtetasve të të dy vendeve, raporton Anadolu Agency (AA).
Me rastin e hyrjes në fuqi të marrëveshjes, në Aeroportin Esenboga të Ankarasë ka arritur aeroplani me grupin e parë nga Ukraina që realizuan udhëtimin në Turqi me vetëm letërnjoftim.
Në një ceremoni të organizuar pas uljes së aeroplanit që udhëtoi nga Kievi në Ankara, ambasadori i Ukrainës në Turqi, Andrii Sybiha, u shpreh se ndihen të lumtur që kanë filluar udhëtimet në Turqi me letërnjoftim.
Ai theksoi se ky zhvillim ka cilësi historike dhe dëshmon për partneritetin strategjik midis dy vendeve.
"Vitin e kaluar nga Ukraina në Turqi kanë ardhur më shumë se një milionë turistë. Nga ana tjetër, nga Turqia Ukrainën e kanë vizituar më shumë se 200 mijë turistë. Me këtë marrëveshje, ne presim që këto shifra të rriten për 30 përqind", shtoi Sybiha.
Ndërkohë, gazetarja Olga Vdovenko, e cila po ashtu ishte në mesin e grupit të parë që udhëtoi në Turqi me letërnjoftim, theksoi se ndihet e emocionuar që ukrainasit dhe turqit do të mund të udhëtojnë mes dy shteteve me letërnjoftim.
"Jam tejet e lumtur që u gjenda në grupin e parë që udhëtoi në Turqi me letërnjoftim", tha Vdovenko, duke shtuar se ukrainasit kanë dëshirë ta vizitojnë Turqinë, si për të bërë pazar, njashtu edhe për pushime.
Ndryshe, marrëveshja e nënshkruar më 14 mars në Ankara synon të nxisë lehtësimin e udhëtimeve afatshkurtre reciproke mes dy vendeve. Sipas saj, shtetasit e dy vendeve mund të hyjnë dhe dalin dhe të kalojnë transit me kusht që në periudhë prej 180 ditëve të mos kalojnë mbi 90 ditë.
Vitin e kaluar, Turqia po ashtu kishte rritur nga 60 në 90 ditë afatin e qëndrimit në Turqi të shtetasve ukrainas pa viza.