Mümin Altaş
05 Maj 2017•Përditësim: 05 Maj 2017
KISHINAU (AA) - Mes Turqisë dhe Moldavisë janë firmosur marrëveshje bashkëpunimi në fushën e sigurisë sociale, ekonomisë, lajmeve, radios dhe televizionit, raporton Anadolu Agency (AA).
Në ceremoninë e nënshkrimit që u organizua në Rezidencën Shtetërore të Moldavisë, fillimisht është nënshkruar deklarata e përbashkët nga kryeministri turk, Binali Yıldırım, i cili gjendet në Moldavi për vizitë zyrtare, dhe kryeministri i Moldavisë, Pavel Filip.
Nga ana tjetër, marrëveshja e sigurisë sociale mes dy shteteve u nënshkrua nga ministri turk i Punës dhe Sigurisë Sociale, Mehmet Müezzinoğlu, dhe ndihmës kryeministri i Moldavisë dhe njëherësh ministër i Jashtëm dhe Integrimeve Evropiane, Andrei Galbur.
Ndërkohë, marrëveshje është nënshkruar mes Anadolu Agency (AA) dhe agjencisë shtetërore të lajmeve të Moldavisë (Moldpres), e cila u firmos nga kreu i bordit drejtues dhe drejtor i përgjithshëm i AA-së, Şenol Kazancı, dhe kryeredaktorit të Moldpress, Simion Ropot.
Protokolli i bashkëpunimit mes Radio-Televizionit të Turqisë (TRT) dhe Radio-Televizionit Kombëtar të Moldavisë (TRM-Teleradio Moldova) u firmos nga drejtori i përgjithshëm i TRT-së, Şenol Göka, dhe kryetares së TRM-Teleradio Moldova, Olga Bordeianu.
Po ashtu, marrëveshja e bashkëpunimit është firmosur edhe mes Administratës Turke për Zhvillimin dhe Mbështetjen e Ndërmarrjeve të Vogla dhe të Mesme (KOSGEB) dhe Organizatës për Mbështetjen e Zhvillimit të Sektorit të Ndërmarrjeve të Vogla dhe të Mesme të Moldavisë, e cila u firmos nga kreu u KOSGEB, Recep Biçer, dhe drejtoresha e përgjithshme e ODIMM, Iulia Iabanji.