Leyla Ataman Koyuncuoğlu,Ayşe Yıldız
22 tetor 2017•Përditësim: 23 tetor 2017
ANTALIA (AA) – Mbrëmë në qytetin turk të Antalias në mënyrë solemne u hap edicionin i 54-t i Festivalit Ndërkombëtar të Filmit, eventit më të madh të filmit në vend, raporton Anadolu Agency (AA).
Vëmendje të madhe kanë tërhequr veçanërisht aktorët e famshëm të Hollywoodit Christopher Walken, të cilit iu nda çmimi i nderit të festivalit të filmit. Aktores amerikane Juliette Lewis iu nda çmimi "çelësi i qytetit të filmit" të cilin ia dorëzoi kryetari i Antalias, Menderes Turel.
Në programin garues të festivalit të sivjemë në Antalia do të konkurrojnë gjithsej 10 filma të cilët tematizojnë krizën globale të emigrimit, padrejtësitë, dashurinë tek të rinjtë, krijimtarinë dhe tema të tjera.
Në Antalia, ndër të tjera, do të qëndrojë edhe fituesi i çmimit Oscar, regjisori francez Michel Haznavicius, ku do të prezantohet filmi i tij "Redoutable", pastaj regjisorja turke Andac Haznedaroglu me filmin "Mysafiri", regjisori amerikan Sean Baker, regjisorja kineze Vivian Qu me filmin "Angels Wear White", autorja e re nga Gjeorgjia, Ana Urushadze me filmin "Scary Mother", autorët Dorota Kobiela dhe Huch Welchman, me filmin e animuar që tematizon jetën dhe vdekjen misterioze të Vincent Gogh të titulluar "Loving Vincent", regjisori iranian Mohammad Rasoulof me filmin "A Man of Integrity", i cili gjithashtu fitoi çmimin e jurisë "Un Certain Regarde" në festivalin e sivjemë të Filmit në Kanë dhe shumë të tjerë.
Festivali i Filmit në Antalia, i cili këtë vit do të mbahet nga 21 deri më 27 tetor, për herë të parë u organizua në vitin 1964 dhe është festivali më i rëndësishëm në Turqi dhe më gjerë. Çmimi më prestigjioz i festivalit është "Portokalli i Artë".