Zafer Fatih Beyaz
17 janar 2020•Përditësim: 17 janar 2020
Zëdhënësi i Zyrës së Presidencës së Turqisë, Ibrahim Kalın, bisedoi rreth çështjeve bilaterale dhe rajonale me Këshilltarin e Sigurisë Kombëtare të SHBA-ve, Robert O'Brien, transmeton Anadolu Agency (AA).
Zyra e zëdhënësit të presidencës turke tha se Kalın zhvilloi një bisedë telefonike me O'Brien ku diskutuan mbi situatën në Siri me fokus në rëndësinë e marrëveshjes së armëpushimit dhe provincën e Idlibit.
Kalın dhe O'Brien diskutuan gjithashtu për krizën në Libi me një referencë të veçantë për Samitin e Berlinit, gjegjësisht konferencën ndërkombëtare për Libinë që do të mbahet të dielën në Berlin.
Bashkëbiseduesit ishin në pajtim për nevojën e përpjekjeve shtesë për vendosjen e armëpushimit të qëndrueshëm dhe për fillimin e procesit politik të zgjidhjes së krizës në Libi.
Konferenca ndërkombëtare do të mbahet në Berlin më 19 janar, ku pjesëmarrësit do të kërkojnë zgjidhje për krizën në Libi.
Në konferencë do të marrin pjesë delegacionet e Turqisë, SHBA-ve, Rusisë, Mbretërisë së Bashkuar, Kinës, Emirateve të Bashkuara Arabe, Republikës së Kongos, Italisë, Algjerisë, OKB-së, Bashkimit Evropian (BE), Unionit Afrikan dhe Ligës Arabe. Gjithashtu janë ftuar kreu i qeverisë libiane të Unitetit Kombëtar të njohur ndërkombëtarisht, Fayez Al-Sarraj dhe udhëheqësi i forcave jolegjitime në lindje të Libisë, Khalifa Haftar.