Handan Kazancı
19 Mars 2018•Përditësim: 19 Mars 2018
ANKARA (AA) – Zëdhënësi i Presidencës së Republikës së Turqisë, Ibrahim Kalın, pastrimin e terroristëve të YPG/PKK-së dhe të DEASH-it nga qendra e qytetit të Afrinit e përshkroi si një fazë kyçe të fushatës kundër terrorizmit, por me shumë punë përpara, transmeton Anadolu Agency (AA).
“Një fazë e rëndësishme e operacionit është përfunduar, ende ka punë për të bërë”, tha mbrëmë Kalın për britaniken Sky News.
Trupat turke dhe luftëtarët e Ushtrisë së Lirë Siriane (ULS) morën kontrollin e qendrës së qytetit Afrin në orët e hershme të ditës së djeshme, si pjesë e operacionit “Dega e Ullirit” i cili u nis më 20 janar për të pastruar zonën nga terroristët e YPG/PKK-së dhe të DEASH-it.
“Afrini është një zonë e madhe me disa mijëra njerëz që jetojnë atje. Ne po sigurojmë ndihmë dhe ne duam të sigurohemi se, veçanërisht brenda qyteteve dhe në shtëpi, nuk ka mina, nuk ka kurthe”, tha Kalın.
“Pra, do të ketë punë për të bërë në ditët që do të vijnë, por në të njëjtën kohë do të vazhdojmë të sigurojmë ndihmë humanitare dhe po ashtu do të punojmë me vendasit për t’u siguruar që ata të qeverisin vetë, që nevojat e tyre të ofrohen”, shtoi ai.
- “Operacioni në Afrin ndryshe nga ai në Mosul dhe Raka”
Sipas zëdhënësit të presidencës turke, operacioni në Afrin është ndryshe nga betejat e mëparshme në Mosul të Irakut dhe Raka të Sirisë.
“Kur nisëm operacionin ‘Dega e Ullirit’, një numër aleatësh dhe komentatorësh politikë ngritën pyetje rreth viktimave të mundshme civile dhe ne kemi qenë jashtëzakonisht të kujdesshëm lidhur me këtë. Ne kemi shmangur viktimat civile dhe, nëse shikoni fotografitë, qyteti nuk është shkatërruar”, tha Kalın.
Sipas Shtabit të Përgjithshëm të Turqisë, operacioni synon të krijojë siguri dhe stabilitet përgjatë kufijve të Turqisë dhe rajonit, si dhe të mbrojë sirianët nga mizoria dhe shtypja terroriste.
Nga atje theksojnë se operacioni është duke u kryer në kuadrin e të drejtave të Turqisë të bazuara në të drejtën ndërkombëtare, rezolutat e Këshillit të Sigurimit të OKB-së, të drejtat e vetëmbrojtjes në bazë të Kartës së OKB-së dhe në respektin për integritetin territorial të Sirisë.
Ushtria poashtu ka thënë se vetëm objektivat terroriste po shkatërrohen dhe se “kujdes maksimal” është duke u kushtuar për të shmangur dëmtimin e civilëve.
Afrini ka qenë një strehë e madhe për YPG/PKK-në që nga korriku i vitit 2012, kur regjimi sirian i Bashar al-Asadit i lëshoi qytetin pa luftë grupit terrorist.