Nilay Kar
06 Tetor 2017•Përditësim: 07 Tetor 2017
ANKARA (AA) - Turqia dhe Venezuela po synojnë t'i përmirësojnë marrëdhëniet dypalëshe në disa fusha, duke përfshirë bujqësinë, energjinë, turizmin dhe sigurinë, tha të premten ministri i Jashtëm i Turqisë, Mevlüt Çavuşoğlu, raporton Anadolu Agency (AA).
"Ne do të nënshkruajmë sot katër marrëveshje. Këto marrëveshje në fushën e ekonomisë, sigurisë, ushqimit, bujqësisë, blegtorisë dhe turizmit do të forcojnë më tej marrëdhëniet tona", tha Çavuşoğlu, në hapjen e takimit të Komisionit të Përbashkët të Bashkëpunimit Turqi-Venezuelë në Ankara.
Të dy vendet gjithashtu planifikojnë të thellojnë edhe marrëdhëniet kulturore. "Në këtë drejtim, ne synojmë të hapim Qendrën tonë të parë Kulturore Junus Emre në Amerikën Latine, në Karakas", shtoi ai.
Më vonë, Çavuşoğlu dhe homologu i tij i Venezuelës, Jorge Arreazam zhvilluan një takim me dyer të mbyllura.
"Gjatë takimit tonë, kemi diskutuar çështje që lidhen me ekonominë, energjinë, minierat, turizmin, bujqësinë, transportin, shëndetësinë, arsimin dhe sigurinë", theksoi Çavuşoğlu duke folur para gazetarëve pas takimit.
Fluturimet e kompanisë ajrore turke Turkish Airlines për në Karakas dhe Havanë, të nisura vitin e kaluar, kanë krijuar një mundësi për të rritur bashkëpunimin në fushën e turizmit, shtoi shefi i diplomacisë turke.
Ndërkohë, në Ankara ka arritur edhe presidenti i Venezuelës, Nicolas Maduro, i cili u takua me homologun e tij turk, Recep Tayyip Erdoğan.
Takimi i parë i komisionit të përbashkët u mbajt në kryeqytetin e Venezuelës, Karakas, në vitin 2011.