Kurbani Geyik
24 Gusht 2016•Përditësim: 24 Gusht 2016
ANKARA (AA) - Kryeministria e Turqisë, ka publikuar një deklaratë në lidhje me operacionin "Mburoja e Eufratit" që Forcat e Armatosura Turke kanë ndërmarrë kundër DAESH-it, ku theksohet se me qëllim për t'iu kundërpërgjigjur qarqeve armiqësore dhe për ta luftuar çdo grup terrorist, Forcat e Armatosura Turke filluan goditjet me artileri ndaj objektivave të DAESH-it, raporton Anadolu Agency (AA).
Në deklaratën e Kryeministrisë u dhanë informacione në lidhje me operacionin “Mburoja e Eufratit”.
Në deklaratë thuhet se "Pas sulmeve me raketa që u ndërmorën në qytezën Karkamış të Gaziantepit, për ta ruajtur sigurinë e jetës dhe pronës së popullit tonë dhe për t'i parandaluar shkeljet kufitare, u fillua operacion nga Forcat e Armatosura Turke. Në këtë drejtim, me qëllim për t'iu kundërpërgjigjur qarqeve armiqësore dhe për ta luftuar çdo grup terrorist, sot në orën 4:00 të mëngjesit Forcat e Armatosura Turke filluan me goditje me artileri ndaj objektivave të DAESH-it që ishin lokalizuar më herët.”
Po ashtu, në deklaratë bëhet e të ditur se në Xherablus dhe rrethinë fillimisht janë neutralizuar 81 objektiva.
“Që nga ora 8:16 janë realizuar 294 të shtëna me artileri, ndërsa mes orës 6:08 dhe 7:50 me aeroplanë F-16 të Forcave tona Ajrore janë goditur 12 objektiva në Xherablus. Do të ketë kundërpërgjigje sa herë që bëhet fjalë për shkelje kufitare dhe sigurinë e jetës dhe pronës së popullit tonë”, thuhet më tej në deklaratë.