Kemal Karadağ
12 Mars 2017•Përditësim: 12 Mars 2017
ANKARA (AA) - Kryetari i Partisë Lëvizja Nacionaliste (MHP), Devlet Bahçeli, në bisedën e tij me kryetarin e përgjithshëm të Konfederatës së Turqve në Evropë, Cemal Çetin, njoftoi se është marrë vendim që të organizohet protestë me qëndrim ulur në shenjë proteste kundër Holandës, në aeroportin që planifikohet të ulet avioni i ministrit të Jashtëm të Turqisë, Mevlüt Çavuşoğlu, raporton Anadolu Agency (AA).
Sipas deklaratës së publikuar nga MHP, Bahçeli ka biseduar me kryetarin e përgjithshëm të Konfederatës së Turqve në Evropë, Cemal Çetin.
Në bisedë është vendosur që të organizohet protestë me qëndrim ulur në shenjë proteste kundër vendimeve dhe veprimeve të Holandës ndaj ministrave turq, në aeroportin në të cilin planifikohet të ulet avioni i ministrit të Jashtëm të Turqisë, Çavuşoğlu.
"Ky është një mentalitet i mesjetës"
Zëvendëskryetari i Partisë Lëvizja Nacionaliste e Turqisë, Semih Yalçın, ka reaguar në lidhje me vendimet e Holandës ndaj ministrave të Turqisë, duke thënë se "ky është një mentalitet i mesjetës".
De Yalçın ka ardhur përmes një lidhjeje telefonike me kanalin televiziv NTV në Turqi.
Duke dënuar veprimet e Holandës në lidhje me ndalimin e takimeve të ministrave me qytetarët turq që jetojnë në Rotterdam, Yalçın është shprehur: "Ky është një mentalitet i mesjetës. Këto veprime janë qartë kapitullimi i botëkuptimit që civilizimi evropian mundohet të pranojë."
Ai i ka cilësuar si të papranueshme veprimet dhe pengesat e disa vendeve evropiane ndaj ministrave të Turqisë.
"Shokët tanë kanë planifikuar një protestë në aeroportin ku planifikohej të zbriste ministri i Punëve të Jashtme të Turqisë dhe momentalisht janë të mobilizuar. Synimi jonë këtu është reagimi kundër Evropës për veprime të tilla", ka thënë ai.
Ndërsa duke folur për vendimet e Turqisë në lidhje me këto ngjarje, Yalçın i shikon si të arsyeshme masat dhe shton se ato duhet të jenë më drastike.
"Veprimet e qeverisë holandeze ndaj ministrave të Turqisë janë të papranueshme. Për këtë arsye Turqia duhet të marrë vendime akoma më drastike. Në këtë mënyrë reagimi ndaj Holandës duhet të jetë një shembull edhe për vendet e tjera. MHP do të jetë pranë të gjitha vendimeve që do të marrë qeveria turke", ka shtuar ai më tej.
Yalçın ka thënë gjithashtu se reagimi i qytetarëve jashtë vendit duhet të jetë brenda rregullave dhe demokracisë.
Qeveria holandeze pengoi ministren turke të Politikave Sociale dhe Familjes, Fatma Betül Sayan Kaya, e cila kishte planifikuar të zhvillonte një takim me përfaqësuesit diplomatikë dhe qytetarët turq që jetojnë në Holandë.
Më pas MPJ e Turqisë dënoi pengesën dhe shtoi se i ka dërguar një mesazh ambasadorit të Holandës në Ankara i cili ndodhet jashtë vendit me leje që të mos kthehet për një kohë në punë.
Nga ana tjetër rrugët në afërsi të Ambasadës së Holandës në Ankara dhe ajo e Konsullatës në Stamboll janë mbyllur për arsye sigurie.
Ndërsa qytetarët turq që jetojnë në Rotterdam kanë reaguar pas ndalimit të automjetit të ministres turke Sayan duke u tubuar në një protestë. Ata janë shpërndarë me forcë nga policia holandeze, ndërsa në Ambasadën e Holandës në Ankara dhe Konsullatën e këtij vendi në Stamboll, qytetarë të shumtë janë mbledhur për të protestuar kundër veprimeve të qeverisë holandeze.