Sebahatdin Zeyrek
04 Shtator 2019•Përditësim: 05 Shtator 2019
SEBAHATDİN ZEYREK
Pamukkale, një prej atraksioneve më të vjetra dhe më të rëndësishme turistike në Turqinë jugperëndimore, ka pritur rreth 1 milion turistë vendas dhe të huaj në periudhën prej qershorit deri më gusht.
Pamukkale është një lokacion që ndodhet në listën e Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s, i njohur për ujërat termale të pasura me minerale dhe tarracat e bardha të travertës.
Ky atraksion ndodhet në provincën Denizli në Detin Egje dhe ka fituar popullaritet në mesin e turistëve nga e gjithë bota.
Në vitin 2017 Pamukkalen e vizituan 1 milion e 524 mijë turistë, numër i cili në vitin 2018 u rrit në 2 milionë e 128 mijë turistë vendas dhe të huaj. Në periudhën mes qershorit dhe gushtit të këtij viti Pamukkalen e vizituan 1 milion e 100 mijë turistë. Numri vizitorëve të përgjithshëm prej vitit të ri ka arritur në 1 milion e 800 mijë.
Synimi për fund të vitit është 3 milionë vizitues
Gazi Murat Şen, presidenti i një shoqate lokale të turizmit dhe menaxhimit të hoteleve, për Anadolu Agency (AA) tha se në mbarë vendin këtë vit është përjetuar një sezon turistik shumë efektiv.
Ai tregoi se edhe gjatë pushimeve të festave të Bajramit Pamukkale ka qenë ndër vendet më të vizituara.
Şen bëri të ditur se Pamukkale për herë të parë në historinë e saj ka pritur mbi 400 mijë vizitorë brenda një muaji.
"Gjatë sezonit veror, domethënë në periudhën qershor-gusht, Pamukkalen e vizituan 1 milion e 100 mijë turistë vendas dhe të huaj. Kemi një rritje prej 23 për qind në krahasim me vitin e kaluar. Do të mundohemi që të arrijmë synimin tonë prej 3 milionë vizitorë deri në fund të vitit", u shpreh Şen.
Me rrënojat e qytetit antik Hierapolis që ndodhen në afërsi, Pamukkale është njohur si një qendër për shëndetin termik për mijëra vite që nga kohërat romake dhe është veçanërisht e famshme për travertat e saj të bardhë gëlqeror, të formuar nga burimet e nxehta të pasura me kalcium.
Vizitorët ecin zbathur në burimet e nxehta përgjatë tarracave të travertës, të cilat mbajnë temperatura mjaftueshëm të nxehta edhe gjatë dimrit.