Meltem Bulur,Nazlı Yüzbaşıoğlu,Ecenur Çolak
20 Dhjetor 2016•Përditësim: 20 Dhjetor 2016
ANKARA (AA) – Ministri i Jashtëm i Turqisë Mevlüt Çavuşoğlu ka thënë në lidhje me vrasjen e ambasadorit rus në Ankara Andrei Karlov në një sulm të armatosur se “Ky sulm nuk kishte synim vetëm ambasadorin Andrei Karlov, por edhe Rusinë, Turqinë dhe marrëdhëniet Rusi-Turqi”, raporton Anadolu Agency (AA).
Çavuşoğlu tha se janë tronditur nga vrasja e ambasadorit Andrei Karlov në hapjen e një ekspozite në një kohë të kulminimit të marrëdhënieve Ankara-Moskë.
“Para së gjithash, e dënojmë ashpër këtë sulm”, ka thënë Çavuşoğlu, duke rikujtuar se presidenti Recep Tayyip Erdoğan ka zhvilluar bisedë me presidentin rus Vladimir Putin dhe më pas ka dalë me deklaratë.
Duke nënvizuar se Rusia dhe populli rus e di mirë se cili ka qenë qëllimi i këtij sulmi, Çavuşoğlu tha se “Ky sulm nuk kishte synim vetëm ambasadorin Andrei Karlov, por edhe Rusinë, Turqinë dhe marrëdhëniet Rusi-Turqi".
Çavuşoğlu ka përcjellur ngushëllimet e tij deri te bashkëshortja dhe familja e Karlov-it dhe është shprehur se ka zhvilluar bisedë telefonike me homologun e tij rus Sergei Lavrov.
Ai po ashtu ka ngushlluar edhe popullin mik të Rusisë.
Ministri Çavuşoğlu më tej ka theksuar se ambasadori Andrei Karlov i cili ka qenë një diplomat i mirë ka dhënë përpjekje të shumta për zhvillimin e marrëdhënieve dypalëshe që nga dita e parë e detyrës, madje edhe në kohëra të vështira dhe pas rrëzimit të avionit rus.
“U tregoi të gjithëve se ishte diplomat i vërtetë në ditë të vështira. Ai nuk ishte vetëm diplomat i mirë, por edhe një njeri i mrekullueshëm dhe mik”, ka vazhduar Çavuşoğlu.
Duke potencuar se për herë të fundit me ambasadorin Karlov janë takuar gjatë vizitës së presidentit të Tataristanit në Ankara, Çavuşoğlu ka thënë se “Me të vërtetë për mua ishte një mik personal. Për këtë arsye jam shumë i pikëlluar. Vërtetë, e gjithë Turqia dhe populli turk janë të pikëlluar".
Çavuşoğlu ka vënë në pah se në Rusi dhe Turqi mbizotëron arsyeja e shëndoshë.
Më tej, ai ka vazhduar: “Së bashku do të zbulojmë se çfarë ndodhet prapa kësaj dhe çfarë është planifikuar. Presidenti ynë pa hamendje pranoi propozimin e presidentit Putin për krijimin e një komisioni të përbashkët hetimor. Me përpjekje të përbashkëta dhe në mënyrë transparente do të nxjerrim në dritë se çfarë qëndron prapa sulmit dhe patjetër do ta kërkojmë llogarinë në suaza të dretjsësisë. Do ta prishim këtë lojë".
Ai ka potencuar se sulmet e këtilla forcojnë luftën e Turqisë dhe Rusisë kundër terrorit.
Çavuşoğlu ka rikujtuar edhe takimin që do të mbahet ditën e nesërme në Moskë mes Turqisë, Rusisë dhe Iranit në lidhje me të ardhmen e Sirisë, duke shtuar se “Do të vijë edhe ministri i Mbrojtjes dhe do ta vazhdojmë këtë bashkëpunim. Sulmet e këtilla nuk do të na largojnë nga rruga jonë".