Şengül Oymak
10 Janar 2017•Përditësim: 10 Janar 2017
KOCAELİ (AA) - ŞENGÜL OYMAK – Dr. Ceyhun Konak, zv/drejtori i Shkollës së Lartë Profesionale Ali Özbay pranë Universitetit të Kocaeli-së në Turqi i cili përmes punimeve në fushën e skulpturave nga akulli gjatë organizimeve të ndryshme ka arritur të tërheqë vëmendje për kohë të shkurtër, këtë muaj do të realizojë punime të reja në Francë, SHBA dhe Rusi, raporton Anadolu Agency (AA).
Skulptori Konak në deklaratën për AA tha se vazhdon ta përfaqësojë Turqinë në simpoziumet ndërkombëtare të skulpturës.
Duke theksuar se me skulpturën prej akulli është njohur në vitin 2015, Konak tregoi se për herë të parë në simpoziumet e skulpturave prej akulli kishte filluar të marrë pjesë pas pranimit të dosjes së tij që kishte dërguar për simpoziumin e skulpturave të akullit që u organizua në qytetin Harbin të Kinës.
Kona më tej u shpreh se ka marrë pjesë në shumë aktivitete kombëtare dhe ndërkombëtare në fushën e skulpturës. Ai tha se përmes simpoziumeve në të cilat kishte marrë pjesë vitin e kaluar në Kinë, Francë dhe Kanada kishte arritur sukses në shfaqjen e skulpturave të tij në tri kontinente.
Siç tha Konak, suksesin e njëjtë do ta vazhdojë edhe në simpoziumet në të cilat do të marrë pjesë në Francë, Rusi dhe SHBA. “Unë jam skulptor. Rrjedhimisht, duke qenë fusha ime themelore artistike, kam marrë pjesë në aktivitete ndërkombëtare dhe kam punuar me materiale të ndryshme. Akulli dhe bora janë një nga këto materiale, mirëpo është material të cilin e dua dhe material që jua jep mundësinë ta reflektioni kreativitetin tuaj”, vuri në pah Konak.

“Punimet mund të ekspozohen deri në tre muaj”
Sipas Konak, ky aktivitet artistik mund të zhvillohet në temperaturë pesë gradë nën zeron. Ai tha se aktivitetet që organizohen në këtë fushë nëpër botë janë në rritje çdo ditë e më shumë.
Duke theksuar se skulpturat prej akulli dhe bore ofrojnë një kënaqësi vizuale, Konak tha se skulpturat në fjalë në përgjithësi mund të përfundohen për një javë. “Nëse punimet nuk i nënshtrohen diellit dhe nëse temperatura e ftohtë ruhet, atëherë ato mund të ekspozohen deri në tre muaj, posaçërisht në hapësira të mbyllura. Simpoziumi i dytë në të cilin mora pjesë në Kinë ishte në hapësirë të mbyllur, ndërsa më pas organizatori ka ekspozuar atë për tre muajt e ardhshëm me bileta. Akulli është nga uji i ngrirë dhe është material i tejdukshëm. Ndërkaq, materiali nga bora bëhet duke e kompresuar atë, pra, është material i bardhë jo i tejdukshëm. Punimet mund të bëhen në kushte të njëjta atmosferike. Hapi i parë është të sillen blloqet prej bore dhe të bëhet përvijimi fillestar. Më pas bëhet gdhendja e tyre dhe në këtë mënyrë fitohet skulptura. Disa detaje përgatiten jashtë skulpturës dhe i shtohen asaj më pas. Kështu, është e mundur të fitohen vepra të bukura me detale tejet të larta. Karakteristika e transparencës së skulpturave ju jep mundësi të zbatoni efekte të ndryshme,” vazhdoi Konak.
“Në këto simpoziume do të jem artisti i vetëm turk”
Konak vuri në dukje se do të jetë artisti i vetëm turk që do të marrë pjesë në simpoziumin e skulpturave prej akulli në Francë, dhe ato të skulpturave prej bore në Rusi dhe SHBA.
Në këto aktivitete Konak planifikon të bëjë skulptura me tema ekologjike, ndërkaq, siç theksoi, në Rusi do të realizojë punim të përbashkët me një artist nga Norvegjia.
Konak më tej u shpreh: “Deri më tani kam marrë pjesë në aktivitete në Çeki, Poloni, Kinë, Francë, Kanada, Itali dhe Suedi. Skulpturat prej akulli që i kam bërë aty kanë mundësuar që të pranoj ftesa të reja. Fillimisht do të marr pjesë në Simpoziumin Ndërkombëtar të Skulpturave prej Akulli në Valloire që do të organizohet në Francë në periudhën 10-14 janar. Pas këtij simpoziumi do të jem pjesëmarrës në Simpoziumin Ndërkombëtar të Skulpturave prej Akulli Zimniy Vernissage që do të organizohet në Rusi në periudhën 14-22 janar, ndërsa prej aty do të kaloj në Simpoziumin Ndërkombëtar Breckendridge në SHBA mes datave 23 dhe 30 janar. Aty do të bëj punime të reja. Brenda 20 ditëve do të bëj skulptura nga bora dhe akulli në tri kontinente. Jam shumë i emocionuar. Jam krenar që do ta përfaqësoj vendin tim në organizime të tilla.”
Konak tregoi se është i diplomuar në skulpturë nga Universiteti i Arteve të Bukura Mimar Sinan në Stamboll dhe se 17 vite merret me artin e skulpturave. Ai po ashtu tha se në një simpozium në Çeki ka marrë çmimin “Skulptura më e mirë”. Ndërkaq, përmes filmit të shkurtër “Erek” të cilin e ka përgatitur me teknikën “stop-motion” përmes së cilës ka bashkuar disiplinën e skulpturës me kinemanë, ai ka fituar çmimin “Filmi i shkurtër eksperimental më i mirë” në Festivalin e 14-të Ndërkombëtar të Filmit Altın Koza në Adana.