Yusuf Koyun
29 Mars 2017•Përditësim: 29 Mars 2017
ADANA (AA) - Siriani Safwan Qahwati, pjesëtar i organizatës terroriste DEASH që rekrutonte anëtarë nga Evropa, është arrestuar në Adana, në jug të Turqisë, raporton Anadolu Agency (AA).
Hetimet e policisë në Adana dhe Shërbimit të Inteligjencës turke kanë konstatuar se Qahwati nga Siria në Turqi ka hyrë më 15 mars, me qëllim për të rekrutuar anëtarë nga vendet evropiane.
Supozohet se Qahwati ka planifikuar që përmes Stambollit të udhëtojë në Evropë, por u kap në autobus në rrugën Tarsus-Adana-Gaziantep.
Qahwati është marrë në pyetje në Drejtorinë e Policisë, kurse gruaja e tij është dëbuar.
Me rastin e arrestimit janë gjetur edhe materiale dixhitale dhe fotografi të bëra në disa lokacione. Në njërën nga fotografitë shihet se si Safwan Qahwati një personi i kishte vendosur thikën në fyt.
Unaza e gjetur në dorën e tij përdoret si vulë nga krerët e DEASH-it.
Pretendohet se terroristi ka trajnuar evropianët se si të përdorin armët dhe mjetet shpërthyese, dhe u konstatua se ai ishte i lidhur me shtetasin danez Mahamadou Laban, i cili është me origjinë nga Libani dhe me shtetasin suedez Mohammed Tefik Saleh, me origjinë nga Iraku të cilët u arrestuan më 10 shkurt në Adana.