Şerife Çetin
29 Mars 2017•Përditësim: 29 Mars 2017
ANKARA (AA) - Ministri i Jashtëm i Turqisë Mevlüt Çavuşoğlu duke folur mbi vendimet kundrejt institucioneve të mediave dhe shtypit në Turqi që janë marrë nga gjyqësori i pavarur tha se "Në Turqi asnjë institucion i medias apo i shtypit nuk është mbyllur nga presidenti Recep Tayyip Erdoğan, sepse presidenti Erdoğan nuk ka një autoritet të tillë", transmeton Anadolu Agency (AA).
Faqja e internetit e lajmeve Breitbart ka publikuar pjesën e dytë të intervistës me ministrin Çavuşoğlu.
Çavuşoğlu tha se shtypi i lirë që drejtohet me sistem demokratik është i nevojshëm për të gjitha shoqëritë. Sipas tij, shtypi duhet të jetë përgjegjës për lajmet që bën. "Gjithashtu në të njëjtën kohë edhe shtypi duhet të sillet me përgjegjësi dhe duhet të shprehë të drejtat", tha ai.
Pasi ka bërë të ditur se shtypi në vendet perëndimore nuk ka marrë përsipër një rol konstruktiv, Çavuşoğlu tha se "Fatkeqësisht shtypi është i njëanshëm".
Ndër të tjera në fjalën e tij Çavuşoğlu ka theksuar se kryesisht shtypi me pikëpamje të majtë në Evropë kontribuon "në një rrjedhë shumë të rrezikshme" e cila tërheq kontinentin në periudhën e para Luftës së Dytë Botërore.
Më tej pasi u shpreh se shtypi perëndimor "nxit ndjenjën e urrejtjes" kundër grupeve në mesin e të cilëve gjenden emigrantët, refugjatët, muslimanët dhe hebrenjtë, ministri Çavuşoğlu ka bërë vlerësimin se "Shtypi duhet të thotë të vërtetat. Fatkeqësisht ky është një problem themelor edhe në SHBA edhe në rajonin tonë. Por, pavarësisht çdo gjëje shtypi është një element i domosdoshëm i një sistemi demokratik".
"Presidenti Erdoğan nuk ka autoritetin për mbylljen e institucionit të shtypit"
Në përgjigje të pretendimeve se disa institucione të shypit në Turqi janë mbyllur nga presidenti Erdoğan, ministri Çavuşoğlu, ka deklaruar se "Në Turqi asnjë institucion i medias apo i shtypit nuk është mbyllur nga presidenti Recep Tayyip Erdoğan, sepse presidenti Erdoğan nuk ka një autoritet të tillë".
Çavuşoğlu, ka nënvizuar se vendimet kundrejt institucioneve të medias dhe të të shypit në Turqi janë marrë nga gjyqësori i pavarur.
Pasi ka tërhequr vëmendjen se disa institucionve të medias të cilat drejtohen nga organizata terroriste FETO kanë lidhje me tentativën për grusht shteti më 15 korrik, Çavuşoğlu, tha se "Institucionet mediatike të lidhura me FETO-n në të njëjtën kohë kanë kryer shumë aktivitete joligjore, kanë prodhuar prova të rreme rreth personave të tretë. Për këtë arsye, institucionet e shtypit të lidhura me FETO-n janë mbyllur si rezultat i vendimeve të marra nga gjyqësori i pavarur".