Sidar Can Eren
23 Prill 2021•Përditësim: 23 Prill 2021
SIDAR CAN EREN
Në kuadër të operacioneve anti-terroriste në provincën lindore Tunceli, forcat turke të sigurisë shkatërruan 67 strehimore dhe shpella të cilat përdoreshin nga terroristët e PKK-së, raporton Anadolu Agency (AA).
Operacioni, i emëruar "Eren-7 Mercan Munzur", u organizua në bashkëpunim me Zyrën e Guvernatorit Tunceli dhe Komandën e Xhandarmërisë ndërsa si synim kishte të neutralizojë organizatën terroriste separatiste PKK, e cila përbën kërcënim të sigurisë për Turqinë dhe popullin e saj.
Njësitë Speciale të Xhandarmërisë (JOH), Policia Speciale (POH) dhe rojet lokale janë pjesë e operacionit anti-terrorist në shpatet e maleve të Anadollit. Gjithsej 1.062 pjesëtarë të forcave turke të sigurisë veprojnë në 59 ekipe.
Luftëtarët e guximshëm turq vazhdojnë me vendosmëri kërkimin e terroristëve dhe vatrave të tyre në kushte të vështira të kërkimit në shpatet malore, kanione të thella dhe pyjeve të dendura me drunjë.
Tunceli është një rajon ku terroristët e PKK-së dikur u përpoqën të ndërtonin bazat e tyre, por forcat turke të sigurisë u dhanë atyre goditje të rënda gjatë operacioneve që përfshinin dronë, helikopterë dhe avionë.
Operacioni aktual filloi më 5 shkurt dhe deri më tani të paktën 67 strehimore dhe shpella terroristësh janë shkatërruar në kanionet Munzur, Pulumur, Merzan, Ali Bogazi dhe Ahpanos.
Sasi të mëdha armësh, municioni, pajisje shpërthyese si dhe sasi të mëdha droge dhe sende të tjera të nevojshme që ishin përdorur nga terroristët u sekuestruan në këto vende të fshehura. Forcat turke njoftuan vazhdimin e operacioneve që shkaktojnë frikë tek armiqtë dhe siguri tek miqtë.