Halil Fidan
22 Dhjetor 2017•Përditësim: 23 Dhjetor 2017
ŞANLIURFA (AA) - Në zonën arkeologjike Harran në provincën Şanliurfa të Turqisë arkeologët kanë gjetur një hamam i cili i përket shekullit 12 ose 13, raporton Anadolu Agency (AA).
Si rezultat i gërmimeve arkeologjike brenda mureve të pallatit në qytetin antik Harran, një nga vendbanimet më të lashta në botë, që nga vitet gjashtë mijë para erës sonë, i cili ishte edhe kryeqendër e asirianëve dhe emevitëve, është gjetur hamam me kupola që i përket periudhës së shtetit Ejubid, rreth 900 vite më parë.
Kryetari i gërmimeve në zonën arkeologjike Harrna, Mehmet Önal, tha për gazetarët se hamami i përket periudhës së Dinastisë Zengide dhe shtetit Ejubid.
Ai theksoi se hamami ka tri kupola, duke shtuar se kupolat janë të ruajtura pjesërisht, ndërkohë që muret e dhomave tërësisht. Ai thekson se hamami përmban çezma, pishina të rrumbullakëta, vende për ngrohje, dhoma private si dhe gypa për ujë të ngrohtë dhe të ftohtë.
"Ibn Shedad, i cili ka shëtitur në Harran në shekullin 13, flet për 14 hamamë në Harran. Prej tyre, dy janë gjetur si rezultat u gërmimeve që i kemi zhvilluar", tha Önal.
Önal vuri në dukje se Mahmut Zengi, kreu i Dinastisë Zengide, dhe Salahudin Ejubi kanë ardhur në Harran.
"Nuredin Mahmut Zengi dhe Salahudin Ejubi duhet të jenë larë në hamamin e pallatit", u shpreh Önal, duke shtuar se me projektet që do të vazhdojnë edhe vitin e ardhshëm, para vizitorëve do të shfaqin mbetje mahnitëse të pallatit, salloneve dhe veprave relievike në të.
Në ndërkohë, kryebashkiaku i Şanliurfas, Nihat Çiftçi dhe guvernatori Abdullah Erin, theksojnë se Harran është vend i rëndësishëm historik dhe se besojnë se gërmimet arkeologjike do të ndihmojnë në rritjen e turizmit në këtë vend.