Tutku Şenen
02 Dhjetor 2016•Përditësim: 02 Dhjetor 2016
ERZURUM (AA) – Në muajin nëntor janë "neutralizuar" më shumë se 300 terroristë të PKK-së gjatë operacioneve të forcave të sigurisë brenda dhe jashtë Turqisë, flasin të dhënat ushtarake të cilat i ka mbledhur Anadolu Agency (AA).
Gjatë operacioneve të kryera prej 1 deri më 30 nëntor janë neutralizuar gjithsej 317 terroristë: 275 janë vrarë, 23 janë kapur, ndërsa 19 janë dorëzuar autoriteteve.
Në periudhën e njëjtë janë vrarë 14 pjesëtarë të forcave të sigurisë dhe 18 civilë, ndërsa mbi 100 persona janë lënduar. Sipas të dhënave për muajin nëntor janë arrestuar 560 terroristë të dyshuar të PKK-së, prej të cilëve 367 janë dërguar në paraburgim.
Në mesin e të arrestuarve janë: Selahattin Demirtas dhe Figen Yuksekdag, bashkëkryetar të Partisë Demokratike të Popujve (HDP), Idris Baluken, zëvendës kryesuesi i HDP-së dhe Sebahat Tuncel, bashkëkryesues i Partisë Demokratike Rajonale (DBP).
Përveç kësaj, është zbuluar një tunel i gjatë 400 metra mes krahinës siriane Qamishli dhe qytetit kufitar Nusaybin në provincën juglindore Mardin. Burime të sigurisë theksuan se tuneli, në të cilin është gjetur eksplozivë, është ndërtuar për të shërbyer për transportimin e materialeve mes organizatave terroriste PKK/KCK dhe PYD/YPG.
PKK-ja, e cila karakterizohet si organizatë terroriste nga Turqia, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian, në korrik të vitit të kaluar vazhdoi fushatën disa dekadëshe të armatosur kundër shtetit të Turqisë. Që atëherë janë vrarë më shumë se 300 civilë dhe thuajse 800 pjesëtarë të forcave të sigurisë kanë rënë dëshmorë, ndërsa rreth 8.000 terroristë të PKK-së janë vrarë ose janë kapur.