İsmail Ersan,Şaban KILIÇCI
05 Nëntor 2015•Përditësim: 06 Nëntor 2015
BURSA (AA) - Prodhuesit e mobiljeve në Bursa të Turqisë, kanë disejnuar krevatin në formën e një stadiumi për fëmijët dhe adhuruesit e futbollit, raporton Anadolu Agency (AA).
Krevati është ekspozuar në panairin Inegol të mobilerisë dhe orendive shtëpiake (MODEF EXPO 2015), ndërsa vizitorët e shumtë kanë shfaqur interesim të madh ndaj tij.
Krevati me golat dhe terrenin e vizatuar, ka formën e stadiumit me tribunat e mbuluara. Siç thanë nga kompania e cila prodhoi krevatin, mbi të mund të vizatohen emblemat dhe ngjyrat e klubeve të ndryshme të futbollit.
Përveç kësaj, mund të porositet mobileria për tërë dhomën që do të përcjellë temën e krevatit.
"Këtë prodhim e kemi plasuar edhe në tregun e Gjermanisë, Irakut, Francës dhe Britanisë së Madhe. Kam luajtur për disa ekipe lokale. Kam hulumtuar në mënyrë që edhe si prodhues i mobiljeve por edhe si një person që e do futbollin të japë kontributin tim. Ky është prodhim i një hulumtumi trevjeçar. Besoj se kemi disejnuar me sukses krevatin në formë të stadiumit", ka thënë pronari i kompanisë që prodhoi krevatin e pazakontë, Imdat Demirdas (32 vjeç).
Ai tha se aktualisht përdorin vetëm ngjyrat e klubit, për arsyen se ende nuk kanë arritur marrëveshjen me klubet futbollistike për përdorimin e stemave.
Demirdas shpreson se prodhimet e tij të shiten në dyqane të tifozëve të klubeve të mëdha. Ai vuri në dukje se këto prodhime janë punuar vetëm për fëmijët dhe adoleshentët.
"Nuk kemi harruar as ulëset në tribunat. Shpresojmë se fëmijët do të argëtohen dhe do të luajnë në këtë krevat. Marrim reagime mjaft pozitive. Shumica pyesin si kemi arritur ta bëjmë një krevat të tillë. Mendojnë se është shumë i bukur. Dhe, ne jemi shumë të lumtur për shkak të reagimeve pozitive", ka thënë Demirdas.