Gökhan Ergöçün
17 Korrik 2020•Përditësim: 17 Korrik 2020
Turqia dhe Azerbajxhani diskutuan bashkëpunimin industrial në fushën e mbrojtjes, tha sot kreu i Presidencës së Industrive Turke të Mbrojtjes (SSB), Ismail Demir, transmeton Anadolu Agency (AA).
Turqia dhe Azerbajxhani duhet t'i tregojnë botës se të dy vendet vëllazërore janë në unitet të plotë, shkroi Demir në rrjetet sociale pas takimit në Ankara me zv/ministrin e Mbrojtjes së Azerbajxhanit Ramiz Tahirov dhe komandantin e ushtrisë së Republikës Autonome Nakhichevan, Kerem Mustafayev.
Ai theksoi se me gjithë teknologjinë, kapacitetin dhe përvojën e saj, industria turke e mbrojtjes është në dispozicion të Azerbajxhanit, nga dronët e armatosura deri te raketat dhe sistemet elektronike.
Përveç dorëzimit të sistemeve të reja ushtrisë së Azerbajxhanit, dy vendet do të punojnë së bashku në modernizimin e sistemeve ekzistuese, aktivitetet e mirëmbajtjes dhe trajnimit, shtoi Demir, duke përmendur moton e të dy vendeve: "Një komb, dy shtete".
Përleshjet e fundit
Të dielën e kaluar, ushtria armene u përpoq të sulmonte pozicionet e Azerbajxhanit me të shtëna artilerike drejt rajonit kufitar veriperëndimor Tovuz, ndërsa më pas u tërhoq pas pësimit të humbjeve nga hakmarrja e ushtrisë së Azerbajxhanit.
Njëmbëdhjetë ushtarë të Azerbajxhanit, përfshirë një gjeneral të lartë dhe një kolonel, u martirizuan në përleshjet ku mbetën të plagosur edhe katër të tjerë.
Përkundër thirrjeve ndërkombëtare për përmbajtje, trupat armene hapën zjarr edhe në zonat e banuara në fshatrat Ağdam dhe Dondar Kuşçu. Një qytetar 76-vjeçar i Azerbajxhanit humbi jetën në sulmet e Armenisë, të cilën Baku zyrtar e ka akuzuar se ka fshehur humbjet.
Azerbajxhani e ka fajësuar Armeninë për veprimet "provokuese" ndërsa Turqia i dha mbështetje Azerbajxhanit dhe paralajmëroi Armeninë se nuk do të hezitonte të qëndronte kundër çdo lloj sulmi ndaj fqinjit të saj lindor.
Ushtria armene në vitin 1991 okupoi në mënyrë të paligjshme rajonin e Malësisë së Karabakut, një territor që ndërkombëtarisht është i njohur si pjesë e Azerbajxhanit.
Katër Rezoluta të Këshillit të Sigurimit të OKB-së dhe dy rezoluta të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së si dhe vendimet e shumë organizatave ndërkombëtare, i referohen këtij fakti dhe kërkojnë tërheqjen e forcave okupuese armene nga Malësia e Karabakut dhe shtatë rajone të tjera të okupuara të Azerbajxhanit.