Tuba Şahin
16 Prill 2019•Përditësim: 17 Prill 2019
Sipërmarrësit turq janë të gatshëm të realizojnë të gjitha llojet e projekteve ndërtimore në Bjellorusi, thanë sot ministrat e Bujqësisë dhe të Punëve të Jashtme, raporton Anadolu Agency (AA).
Komentet e ministrit turk të Bujqësisë, Bekir Pakdemirli vijnë pas biznes forumit Turqi-Bjellorusi në Ankara, që u mbajt pas konventës dyditore të Komisionit të Përbashkët Ekonomik mes Turqisë dhe Bjellorusisë.
“Kemi diskutuar shumë çështje nga financat te turizmi, investimet në ndërtimtari dhe bujqësi, gjatë mbledhjes së komisionit dhe kemi marrë hapa konkret për bashkëpunim”, tha ai.
Pakdemirli tha se karburantet minerale, nafta, kimikalet, kozmetika, pajisjet e pastrimit, produktet ndërtimore, industria e automjeteve dhe makinerive të rënda, ishin sektorë të mundshëm për investime.
Ai gjithashtu tha se Turqia dhe Bjellorusia kanë formuar një grup të përbashkët punues që do të nxisë tregtinë dypalëshe.
Pakdemirli tha se sasia e tregtisë dypalëshe është rritur gradualisht që nga viti 2016, duke shtuar se megjithatë është më e ulët se shkëmbimi i synuar prej 1 miliard dollarëve.
“Eksportet e Turqisë në Bjellorusi kanë shënuar rritje prej 4,2 për qind nga viti në vit ndërsa tani janë 439 milionë dollarë, ndërsa importet nga Bjellorusia janë rritur për 5,6 për qind dhe ishin 193 milionë dollarë në vitin 2018”, tha Pakdemirli.