Fatjon Prronı
06 Maj 2016•Përditësim: 07 Maj 2016
ANKARA (AA) – Një zyrtar i lartë turk nuk i përfilli komentet e zëdhënëses ruse të enjten në lidhje me atë që ajo e quajti “roli destruktiv i qeverisë së Turqisë” në çështje të ndryshme, raporton Anadolu Agency (AA).
Maria Zakharova, zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme të Rusisë, për të përditshme Izvestia të mërkurën tha se “Turqia po përpiqet ta rikthejë fuqinë e kaluar të Perandorisë Osmane në një mënyrë apo tjetër".
“Të gjithë e dinë se si ka përfunduar Perandoria Osmane,” u citua të ketë thënë ajo nga agjencia e lajmeve TASS. “Fatkeqësisht, mund të shohim një rol absolutisht destruktiv të qeverisë së Turqisë në të gjitha çështjet, qoftë Krimea, Sira, refugjatët, terrorizmi, problemet etnike apo edhe çështje tjera".
Ndërkaq, zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Turqisë, Tanju Bilgic, të enjten tha se komentet e atyre “që nuk e respektojnë integritetin territorial të fqinjëve” dhe “përpiqen t’i kamuflojnë problemet e tyre të brendshme me aventura në politikën e jashtme, nuk kanë kurrfarë vlere për ta".
Biligic tha se është situatë mjaft e habitshme kur “zëdhënësi i një vendi që ka përjetuar tri eksperienca të ndryshme qeverisjeje (Perandoria Ruse, Bashkimi Sovjetik dhe Federata Ruse) vetëm në shekullin e 20-ë, u jep leksione të tjerëve për rënien e shtetit".
Ai shtoi se “Republika e Turqisë ka zbatuar politika të ndershme, paqësore dhe miqësore që nga viti 1923".
Turqia dhe Rusia me vite kanë pasur politika të ndryshme ndaj Sirisë dhe Ukrainës. Turqia nuk e njohu aneksimin nga Rusia të republikës autonome ukrainase të Krimesë në vitin 2014, dhe që atëherë vazhdimisht e ka akuzuar Moskën se mbështet regjimin e Bashar al-Asadit në Siri.
Marrëdhëniet mes dy vendeve kulmuan në nëntor të vitit 2015, kur një avion turk rrëzoi avionin bombardues rus Sukjoi-24M në kufirin me Sirinë për shkelje të hapësirës ajrore.