Turqia ndjek interesat e saj me blerjen e sistemit mbrojtës rus S-400, tha nënpresidenti i vendit Fuat Oktay, raporton Anadolu Agency (AA).
"Turqia bën atë që është e nevojshme për interesat e veta në lidhje me sistemin e mbrojtjes raketore S-400. Ajo bën vendimet dhe zgjedhjet e veta", tha Oktay në panelin editorial të AA-së.
Oktay deklaroi se Turqia nuk do të tërhiqet nga blerja S-400, pasi ka firmosur një kontratë.
"Në çfarëdo rasti, ne do të bënim atë që kërkohet, veçanërisht nëse nënshkruajmë marrëveshje", tha ai.
"Presim të pranojmë dërgesën e parë të sistemit S-400 në korrik", shtoi ai.
Të mërkurën, presidenti turk Recep Tayyip Erdoğan tha se Ankaraja ka finalizuar marrëveshjen për blerjen e sistemit të mbrojtjes raketore S-400.
"Ne përfunduam çështjen e S-400, nënshkruam një marrëveshje me rusët dhe do të fillojmë bashkëprodhimin", tha Erdoğan duke folur në një intervistë televizive.
"Më vonë, mund të punojmë me S-500", sistemin e gjeneratës së ardhshme, tha ai.
Zyrtarët e SHBA-së kanë sugjeruar që Turqia duhet të blejë raketat amerikane Patriot në vend të sistemit rus, duke argumentuar se S-400 nuk përputhet me sistemet e NATO-s. Megjithatë, zyrtarët turq kanë theksuar se Turqia nuk do të tërhiqet nga marrëveshja e saj me Rusinë, edhe nëse do të blinte Patriot.
- Turqia mund të fillojë operacion në Siri në çdo kohë
Oktay tha se ushtria turke është gjithmonë e gatshme të kryejë operacion në lindje të lumit Eufrat, në veri të Sirisë.
"Turqia do të bëjë atë që është e nevojshme dhe nuk do të lejojë kurrë ndonjë prani terroriste dhe kërcënim atje (në lindje të Eufratit)", tha ai.
Në rast të ndonjë kërcënimi për sigurinë e saj, Turqia mund të fillojë një operacion në Munbixh të Sirisë në çdo kohë, shtoi ai.
Turqia është zotuar të kryejë një operacion kundërterrorist në Munbixh dhe në lindje të Eufratit në Sirinë veriore pas dy operacioneve të ngjashme të suksesshme që nga viti 2016.
Ushtria turke ka premtuar luftë antiterroriste ndërkufitare kundër grupit terrorist YPG/PKK.
Në fushatën e saj 30-vjeçare terroriste, PKK, e konsideruar si organizatë terroriste nga SHBA, BE dhe Turqia, ka shkaktuar vdekjen e rreth 40.000 njerëzve, përfshirë gra dhe fëmijë. YPG është dega e saj siriane.