Murat Özgür Güvendik
11 Dhjetor 2020•Përditësim: 11 Dhjetor 2020
Ministria e Jashtme e Turqisë publikoi një deklaratë lidhur me nënshkrimin e protokollit që njeh mundësinë për udhëtimin me karta identiteti në vizitat e ndërsjella ndërmjet shtetasve të Turqisë dhe Azerbajxhanit, transmeton Anadolu Agency (AA).
Në një deklaratë nga ministria thuhet se janë shumë të kënaqur nga protokolli që u nënshkrua nga presidenti Recep Tayyip Erdoğan gjatë vizitës së tij në Azerbajxhan më 9-10 dhjetor dhe i cili njeh mundësinë e vizitave të ndërsjella me karta identiteti për qytetarët e të dyja vendeve.
Menjëherë pasi Azerbajxhani hoqi vizat për shtetasit turq, afati i qëndrimit pa viza për shtetasit e dy vendeve nga 30 u rrit në 90 ditë duke filluar që nga 25 shkurti, rikujtohet në deklaratën në të cilën theksohet se "Me këtë protokoll të nënshkruar më 10 dhjetor nga ministri ynë dhe homologu i tij azerbajxhanas shtetasit e dy vendeve mund të udhëtojnë mes Turqisë dhe Azerbajxhanit vetëm me kartë identiteti".
"Kjo rregullore e re e cila do të rrisë edhe më shumë kontaktin mes popujve tanë, në të njëjtën kohë është jashtëzakonisht kuptimplotë për sa i përket nivelit ku kanë arritur marrëdhëniet tona me Azerbajxhanin vëllazëror", thuhet në deklaratën e Ministrisë së Jashtme turke.