Diyar Güldoğan
24 Gusht 2017•Përditësim: 25 Gusht 2017
ANKARA (AA) – Ambasadori i Ukrainës në Ankara, Andrii Sybiha, tha se Ukraina dhe Turqia janë partnerë “natyror dhe të patundshëm”.
Sybiha në një prononcim për Anadolu Agency (AA) duke theksuar se Kievi dhe Ankaraja shënojnë 26-vjetorin e marrëdhënieve diplomatike, tha se këtë vit është arritur një përparim në partneritetin strategjik dhe se dialogu politik mes dy vendeve është duke fituar një vrull të ri.
“Detyra jonë kryesore është të krijojmë një bashkëpunim me vendet kyçe si Turqia dhe ta mbajmë atë, sepse ne qëndrojmë krah për krah me Turqinë pas shpalljes së pavarësisë tonë. Ne jemi partnerë të natyrshëm dhe të vërtetë”, deklaroi Sybiha.
I dërguari i Kievit në Ankara tha se nuk ekziston problem politik midis Ukrainës dhe Turqisë, që nga lidhjet e bazuara në formulën “fitore-fitore”. “Vëllimi tregtar dypalësh, i cili tregoi një prirje rënëse prej tre vjetësh, për herë të parë tregon një rritje prej 22 për qind në fillim të këtij viti”, tha Sybiha, duke shtuar se vëllimi tregtar dypalësh i vitit të kaluar ishte 4 miliardë dollarë, ndërsa vetëm muajin e parë të vitit 2017 ishte 1.5 miliardë dollarë.
Sybiha gjithashtu theksoi se turistët që vijnë nga Turqia në Ukrainë u rritën me 25 për qind, ndërsa shifra e atyre nga Ukraina në Turqi, siç tha ai, gjatë vitit të kaluar ishte mbi 1 milion turistë.
Në fillim të qershorit të këtij viti, hyri në fuqi një marrëveshje mes Turqisë dhe Ukrainës, me anë të të cilës u mundësohet qytetarëve të të dy vendeve të udhëtojnë pa pasaporta në këto dy vende. Paraprakisht, për marrëveshjen në fjalë kryeministri turk dhe ai ukrainas, Binali Yıldırım dhe Volodymir Groysman ranë dakord më 14 mars.
Sipas marrëveshjes, qytetarët e të dy vendeve duhet vetëm të paraqesin kartat e tyre kombëtare të identifikimit për qëndrime deri në 90 ditë.