Mehmet Tosun
30 mars 2017•Përditësim: 30 mars 2017
ANKARA (AA) – Kryeministri i Turqisë, Binali Yildirim, ka deklaruar mbrëmë se operacioni “Mburoja e Eufratit”, ka mbaruar dhe se secili operacion tjetër eventual të cilin do ta nisë Turqia në atë zonë do të jetë më një emër tjetër, raporton Anadolu Agency (AA).
Komentet e kryeministrit turk u bënë mbrëmë gjatë një paraqitjeje televizive ku tha se “pas këtij momenti, qoftë DEASH-i apo dikush tjetër që kërcënon sigurinë tonë, më konkretisht, çfarë do aksioni që nisim do të jetë një operacion tjetër."
“Mburoja e Eufratit” ka marrë fund dhe nga ky moment, nëse shfaqet nevoja për ndonjë tjetër operacion, i njëjti do të ketë një tjetër emër”, tha Yildirim.
Ofensiva “Mburoja e Eufratit” ka filluar më 24 gusht të vitit 2016 në veri të Sirisë për neutralizimin e kërcënimit terrorist me theks mbi DEASH-in dhe me qëllim të forcimit të sigurisë në vijën kufitare siriano-turke. Ofensivën e zbatuan forcat opozitare siriane, ndërsa në pajtim me të drejtën ndërkombëtare për vetëmbrojtje gjetën mbështetje edhe te forcat turke.
Yildirim u ndal edhe te armatosja e PYD/YPG-së në Siri, ku tha se një gjë e tillë nuk është e moralshme nga ana e Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA).
"Kjo paraqet një kërcënim për sigurinë tonë të brendshme dhe të jashtme. Para së gjithash, kjo nuk është e moralshme, është e pahijshme për SHBA-të të ketë punë me një organizatë terroriste për shkak se ata janë aleatë të Turqisë. Më e rëndësishmja, elementet terroriste në fjalë janë afërta me PKK-në. Ajo është një reflektim i së njëjtës organizatë nën një emër tjetër. Ky është qëndrimi ynë", tha Yildirim, duke shtuar se armët e dorëzuara përfundojnë në duart e PKK-së.