Sarp Özer
09 Shkurt 2017•Përditësim: 09 Shkurt 2017
ANKARA (AA) - Në ditën e 170-të të operacionit "Mburoja e Eufratit" kundër objektivave terroriste në veri të Sirisë, Forcat e Armatosura Turke kanë goditur nga ajri dhe toka gjithsej 253 objektiva të organizatës terroriste DEASH, ndërsa në operacionet ajrore të organizuar nga avionë të forcave të koalicionit janë asgjësuar gjashtë objektiva. Si rezultat i gjuajtjeve dhe ofensivës janë neutralizuar 44 terroristë, raporton Anadolu Agency (AA).
Sipas njoftimit nga Shtatmadhoria e Turqisë, ende është duke vazhduar operacioni i nisur më 24 gusht të vitit 2016 në veri të Sirisë i cili synon mënjanimin e rrezikut të kanosur nga organizatat terroriste me në krye DEASH-in, rritjen e sigurisë kufitare dhe mbështetjen ndaj forcave të koalicionit.
Në ditën e 170-të të operacionit, grupet e Task Forcave speciale kanë marrë nën kontroll rajonet Bzagah dhe Kabbasin. Ndërkaq, njësitet e Komandës së Forcave Tokësore kanë goditur 187 objektiva të organizatës terroriste DEASH.
Nga ana tjetër, avionë të Komandës së Forcave Ajrore kanë ndërmarrë ofensivë ndaj 66 objektivave të organizatës terroriste. Si rezultat i ofensivës dhe gjuajtjeve, janë asgjësuar një numër i madh i objektivave, edhe atë ndërtesa të përdorura si strehimore, seli dhe pozicione mbrojtëse.
Ndërkohë, avionët në kuadër të forcave të koalicionit kanë ndërmarrë tre operacione ajrore ndaj objektivave të organizatës terroriste DEASH në rajonin Al Bab, me çka janë asgjësuar gjashtë objektiva, edhe atë hyrje tuneli dhe autobombë.
Gjatë gjuajtjeve dhe operacioneve janë neutralizuar 44 terroristë, pjesëtarë të DEASH-it.