Agon Fehmiu
26 Nëntor 2015•Përditësim: 27 Nëntor 2015
PRISHTINË (AA) – Pas plotë 55 viteve, në Kosovë është bërë Regjistrimi i Bujqësisë, raporton Anadolu Agency, bazuar në publikimin e sotëm të rezultateve të plota të këtij regjistrimi të bërë nga Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK). Regjistrimi i Bujqësisë është kryer në 34 komuna të Republikës së Kosovës, përveç në katër komuna në veri: Leposaviç, Zveçan, Zubin Potok dhe Mitrovicë Veriore, pasi që këto komuna refuzuan të marrin pjesë.
Christofer Shtock, Udhëheqës për Bashkëpunim në Zyrën e BE-së në Kosovë, theksoi se ASK i ka ndjekur të gjitha rregullat dhe standardet ndërkombëtare dhe ka raportuar për cilësinë e të dhënave në mënyrë tërësisht transparente, me çka krijohet një bazë e të dhënave për krahasim me shtet tjera dhe bashkësinë ndërkombëtare. Ai theksoi se posedimi i të dhënave të sakta është shumë me rëndësi për çdo lloj politikëbërje, sepse iu mundësojnë qeverive që t’i planifikojnë politikat në bazë të informacioneve, në mënyrën më transparente dhe llogaridhënëse. “Duke e ditur orientimin evropian të Qeverisë së Kosovës, ne jemi të sigurt se ajo do t’i shfrytëzojë të dhënat e Regjistrimit të Bujqësisë, për të planifikuar politika më të mira dhe për të ofruar shërbime më të mira, për qytetarët e Kosovës, në harmoni me agjendën për Satbilizim dhe Asociim”, tha Shtock.
Kryeshefi Ekzekutiv i ASK-së, Isa Krasniqi theksoi se Regjistrimi i Bujqësisë është realizuar nga Agjencia e Statistikave të Kosovës në bashkëpunim të ngushtë me Ministrinë e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural (MBPZHR) dhe Komisionet Komunale të Regjistrimit (KKR) dhe është mbikëqyrur nga Komisioni i Regjistrimit (KR), ndërsa është financuar nga Fondi i Mirëbesimit dhe menaxhimi i Fondit të Mirëbesimit i ishte besuar UNOPS-it. Krasniqi informoi se të dhënat janë mbledhur duke përdorur pyetësorë në letër për grumbullimin e të dhënave, përmes intervistës ballë për ballë.
“Në zonat rurale, të dhënat janë mbledhur duke përdorur metodën derë-më-derë, ndërsa në zonat urbane bazë për mbledhjen e të dhënave ishte Lista e Ekonomive Bujqësore nga Regjistrimi i Popullsisë, Ekonomive Familjare dhe Banesave 2011. Po ashtu, janë intervistuar të gjitha subjektet juridike me aktivitet bujqësor. Të dhënat janë mbledhur nga regjistruesit në gjuhën shqipe, serbe ose turke, sipas përkatësisë etnike dhe gjuhës amtare të anëtarëve të Ekonomisë Familjare Bujqësore (EFB)”, theksoi kryeshefi i ASK-së duke shtuar se, të dhënat e Regjistrimit të Bujqësisë janë të nevojshme për t’i ilustruar ndryshimet që bujqësia kosovare i ka pësuar.
Zëvendësministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Vezir Jonuzi theksoi se ky është një nga momentet më të rëndësishme për bujqësinë, pasi hap një etapë të re të orientimeve strategjike për zhvillimin e mëtutjeshëm të këtij sektori, rrjedhimisht edhe zhvillimit ekonomik dhe hapjes së vendeve të reja të punës.
Menaxheri i Projektit të Regjistrimit të Bujqësisë 2014, Bajrush Qevani theksoi se metodologjia e Regjistrimit të Bujqësisë 2014 është në përputhje me standardet ndërkombëtare të Organizatës së Ushqimit dhe Bujqësisë (FAO – KB) dhe në përputhje me Metodologjinë e Eurostat-it për kryerjen e Anketës Strukturore të Fermës.
Qevani paraqiti të dhënat që tregojnë se, Ekonomitë Bujqësore në Kosovë shfrytëzojnë gjithsej 512.000 hektarë tokë (në pronësi dhe të marrë me qira nga të tjerët), me mesatare të menaxhimit prej 3.9 hektarë tokë.
“Sipërfaqja e shfrytëzuar e tokës për prodhimtarinë bujqësore, në vitin 2014, ishte 413 635 hektarë. Kjo është 41.8 përqind e gjithsej sipërfaqes së tokës në Kosovë. Sipërfaqja mesatare e tokës së shfrytëzuar bujqësore për Ekonomi Bujqësore ishte 3.2 hektarë. Prej gjithsej sipërfaqes së shfrytëzuar të tokës bujqësore, pjesa më e madhe i takon livadheve dhe kullotave (54.3 përqind)” deklaroi Qevani duke shtuar se, një karakteristikë e rëndësishme në Kosovë është shfrytëzimi i tokës së përbashkët, që përfshin më shumë se 66% të livadheve dhe kullotave.
Regjistrimi i Bujqësisë është financuar nga Qeveria e Kosovës dhe nga donatorë të ndryshëm, si Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë, Bashkimi për Zhvillim – Ambasada e Suedisë -SIDA, Qeveria e Mbretërisë së Bashkuar -DFID, Zyra Zvicerane për Bashkëpunim, Qeveria e Danimarkës dhe Ambasada e Dukës së Madh të Luksemburgut. Kostoja totale e projektit që përfshin periudhën 2012 – 2015 është afro 4.7 milionë euro.
Të dhënat e Regjistrimit të Bujqësisë 2014
- Kosova ka 130.775 Ekonomi Bujqësore.
- Sipërfaqja e shfrytëzuar e tokës për prodhimtarinë bujqësore (2014): 413.635 hektarë ose 41.8 përqind e gjithsej sipërfaqes bujqësore.
- 54.3 përqind e sipërfaqes totale të shfrytëzuar të tokës bujqësore, i takon livadheve dhe kullotave
- Me perime janë mbjell 6.689 ha apo 3.7 përqind e tokës së punueshme, ndërsa më shumë se 38 përqind e tokës së mbjell me perime, është me speca.
- Në Kosovë ka gjithsejtë 4.399 ha pemishte, ndërsa shumica e sipërfaqes së plantacioneve të pemëve është e kultivuar me mollë (56.1 përqind) dhe kumbull (19.9 përqind).
- Sipërfaqja e vreshtave është 3.215 ha, ku 58.6 përqind e sipërfaqes është e kultivuar me rrush për prodhimin e verës.
- Nga sipërfaqja e përgjithshme e shfrytëzuar e tokës bujqësore, vetëm 10.5 përqind apo 43.491 ha ka mundësi të ujitet ndërsa, në vitin 2014, vetëm rreth gjysma e kësaj sipërfaqeje apo 22.888 ha ishte ujitur
- Pjesa më e madhe e tokës bujqësore, 38.4 përqind është ujitur nga ujërat sipërfaqësorë: përrenjtë, lumenjtë, liqenet e tjerë. Nga hidrosistemi janë ujitur 31.7 përqind të sipërfaqeve.
- Numri i Ekonomive Bujqësore që merren me blegtori ishte 91.227, ndërsa Ekonomitë Bujqësore kanë gjithsejtë 281.747 Njësi Blegtorale (NjB).
- Përqindjen më të lartë të NjB-së e përbëjnë gjedhet (71 përqind). Pjesën tjetër e përbëjnë shpezët me 17 përqind, delet me 7 përqind, dhe kafshët e tjera me 5 përqind.
- Numri i Ekonomive Bujqësore që kultivojnë gjedhe ishte 66.589 me total prej 261.689 krerëve të gjedheve
- Numri i Ekonomive Bujqësore që mbajnë dele ishte 2.466 me gjithsejtë 183.584 dele në Kosovë
- Numri i Ekonomive Bujqësore që mbajnë dhi është 2.221 me 28.430 dhi.
- Numri i Ekonomive Bujqësore, që mbajnë derra ishte 6.302 me numër total prej 34.188 krerëve.
- Numri i Ekonomive Bujqësore, që mbajnë shpezë ishte 67.150 dhe numri i shpezëve në Kosovë ishte 2.691.831.
- Gjithsej, numri i Ekonomive Bujqësore, që mbajnë bletë ishte 6.018 me gjithsej 116.172 koshere bletësh.
- Vetëm çdo e dyta Ekonomi Bujqësore ka në pronësi një traktor dhe shumica e traktorëve janë më të vjetër se 20 vjet (73 përqind).
- Numri i përgjithshëm i personave të angazhuar në bujqësi në Kosovë është 362.700 , të cilët kontribuojnë në punë bujqësore në 86.620 Njësi të Punës Vjetore.
- Mosha mesatare e bartësve të Ekonomive Familjare Bujqësore dhe bizneseve individuale bujqësore është 52 vjeç. Shumica e bartësve janë meshkuj, ndërsa në mesin e anëtarëve të familjes së bartësve, që punojnë në Ekonomi Familjare Bujqësore dominojnë femrat.
- Niveli i arsimit të fuqisë punëtore bujqësore është i ulët dhe më shumë se 95 përqind të menaxherëve kanë vetëm përvojë praktike në bujqësi.