Admir Fazlagikj
19 Tetor 2015•Përditësim: 19 Tetor 2015
SHKUP (AA) - Sot në Shkup filloi seminari treditor “Politikat e Bashkimit Evropian” në organizim të Ministrisë së Punëve të Jashtme (MPJ) të Maqedonisë në bashkëpunim me Institutin diplomatik bullgar dhe Fondacionin Hanns Seidel nga Sofja, raporton Anadolu Agency (AA).
Ambasadori i Republikës së Bullgarisë në Shkup, Ivan Petkov në hapjen e seminarit tha se Maqedonia dhe Bullgaria bashkëpunojnë në disa sfera, prej të cilave veçoi bashkëpunimin në fushën politike, ekonomike, tregtare, turistike dhe shkencore, me këtë rast duke veçuar bashkëpunimin në sferën e eurointegrimeve të Maqedonisë.
“Të jesh anëtare e Bashkimit Evropian do të thotë të kesh përgjegjësi të madhe, të kesh njohuri të mëdha, sepse bëhet fjalë për procedura dhe institucione tejet të komplikuara. Ne mund të ndihmojmë në atë mënyrë që si anëtare të Bashkimit Evropian të ndajmë përvojat tona në rrugën drejt Bashkimit Evropian”, tha mes tjerash Petkov.
Dragana Kiprijanovska, Zëvendësministre e Punëve të Jashtme të Republikës së Maqedonisë, shprehu falënderim ndaj Bullgarisë, si vend fqinj i cili ofron ndihmë dhe mbështetje për Maqedoninë në procesin e saj eurointegrues.
“Bashkëpunimi mes ministrisë sonë dhe asaj bullgare të Punëve të Jashtme ka të bëjë në edukimin diplomatik. Këtë bashkëpunim e realizojmë vite me radhë, përmes aktiviteteve që na kanë ndihmuar në rrugën drejt Bashkimit Evropian. I inkurajojmë diplomatët e rinj, që nëpërmjet shkëmbimit të mendimeve, përvojave dhe ideve të kontribuojnë në zhvillimin e shteteve tona”, deklaroi Kiprijanovska.
Përfaqësuesi i Fondacionit Hanns Siedel nga Sofja, Bogdan Mirçev, tha se ky Fondacion përmes projekteve të tij siç janë shkollat verore dhe dimrore për diplomaci dhe politika të ndryshme dëshiron të kontribuojë në sferën e diplomacisë dhe sfera tjera të rëndësishme në vendet ku ekziston ky Fondacion.