Autori i shkrimit është profesor i asociuar i historisë në Universitetin e Indianës, South Bend
Lufta e Rusisë në Ukrainë ishte një lojë fati e Vladimir Putin-it, e cila Rusisë i shkaktoi një problem të rëndë ekonomik. Megjithatë, në të njëjtën kohë, ajo për disa vende ka hapur mundësi të mëdha për të përfituar nga situata. Në mesin e këtyre vendeve janë Türkiye dhe aleati i saj Azerbajxhani. Duke përfituar nga vakumi i krijuar, ata mund të dërgojnë një sasi në rritje gazi në Evropë dhe të rrisin ndikimin e tyre. Në këtë kontekst shihet edhe marrëveshja e fundit midis Azerbajxhanit dhe Bashkimit Evropian (BE) për rritjen e dërgesave të gazit.
Azerbajxhani si furnizues me gaz dhe ndërmjetësues
Azerbajxhani mund të jetë njëkohësisht furnizues i gazit dhe ndërmjetësues për dërgimin e gazit nga vendet e tjera të Azisë Qendrore në Perëndim. Fati i Azerbajxhanit është thellësisht i lidhur me Türkiye-n, jo vetëm sepse linjat e gazit do të kalonin nëpër territorin turk, por edhe sepse Türkiye është shfaqur si një partner i rëndësishëm gjeopolitik. Azerbajxhani së bashku me Türkiye-n, që moti ishte angazhuar rreth një plani për dërgimin e gazit në Evropë.
Në vitin 2009, Türkiye dhe disa shtete të tjera nënshkruan një marrëveshje për dërgimin e gazit në Evropë. Azerbajxhani dhe Turkmenistani u shfaqën si furnizues kryesorë. Tubacioni i propozuar i gazit u emërua "Nabucco", sipas operës së famshme të Giuseppe Verdit. Moska u alarmua dhe në vitin 2010, presidenti i atëhrshëm rus, Dmitry Medvedev, vizitoi Bakun dhe i propozoi Azerbajxhanit të rrisë shitjen e gazit të saj Gazprom-it, kompanisë kryesore ruse të gazit. Rusia nuk kishte nevojë për gazin azerbajxhanas, megjithatë Kremlini supozoi se në rast të një marrëveshjeje, Azerbajxhani nuk do të kishte gaz të mjaftueshëm për "Nabucco-n".
Projektet TANAP dhe TAP
Dukej sikur plani kishte funksionuar dhe "Nabucco" së shpejti u tërhoq. Në të njëjtën kohë, Moska i dërgoi një mesazh të fortë Turkmenistanit, i cili kishte planifikuar dërgimin e gazit në Perëndim përmes tubacionit Trans-Kaspik. Këtu, Azerbajxhani luajti një rol thelbësor si ndërmjetës. Moska e paralajmëroi Ashgabatin se nuk do ta lejonte këtë të ndodhte dhe ishte gati të përdorte edhe forcën për të ndaluar projektin. Fakti që Rusia u përfshi në luftë me Gjeorgjinë në vitin 2008, sinjalizon se kërcënimet e Moskës nuk ishin boshe.
Megjithatë, kjo nuk e pengoi Azerbajxhanin të angazhohej në një projekt të ri. Tubacioni Trans-Anatolian i Gazit Natyror (TANAP) është projektuar për të kaluar nëpër Türkiye dhe kështu të mbrohet nga inkursioni i mundshëm rus. Më në fund u bashkua me Gazsjellësin Trans-Adriatik (TAP), i cili u bë funksional në vitin 2020, duke dërguar gaz në Evropë. Në atë kohë, Rusia dërgoi sasi të mëdha gazi përmes "Rrjedhës Veriore I" dhe Ukrainës. Pavarësisht problemeve të shumta, tubacioni "Rrjedha e Veriut II" ishte gati të përfundonte. Megjithatë, Moska ishte e shqetësuar për gazin azerbajxhanas dhe provokoi në mënyrë implicite një luftë midis Azerbajxhanit dhe Armenisë.
Strategjia e Kremlinit
Në gusht të vitit 2020, në prag të Luftës së Dytë të Karabakut, ministri rus i Mbrojtjes, Sergei Shoigu vizitoi Azerbajxhanin, ku pa dyshim u diskutua për luftën e mundshme me Armeninë, zyrtarisht një aleate kryesore ushtarake e Rusisë. Nëse Shoigu do të kishte deklaruar me vendosmëri se Rusia do të përfshihej në luftë në rast të një konflikti midis Azerbajxhanit dhe Armenisë, Baku me gjasë nuk do të ndeshej me Armeninë. Në të vërtetë, vlerësimi ushtarak i Rusisë ishte mjaft i lartë dhe madje disa vëzhgues perëndimor konsideronin aftësinë ushtarake ruse si të dytën në botë. Megjithatë, Shoigu dërgoi mesazhin implicit se Moska nuk do të përfshihej.
Arsyeja e kësaj braktisje impicite të Armenisë nuk ishte vetëm flirtimi i Jerevanit me Perëndimin, i cili padyshim irritoi Moskën, por edhe besimi se një luftë e zgjatur në Kaukaz ose do të dëmtonte tubacionet e gazit ose të paktën do t'i tregonte Evropës se tubacionet e gazit nga Azerbajxhani nuk ishin një burim i besueshëm dhe kjo do të ri-ndizte pasionin e Evropës për "Rrjedhën Veriore I" dhe do të përshpejtonte përfundimin e gazsjellësit "Rrjedha Veriore II".
Kështu, Kremlini e konsideroi gazin azerbajxhanas si një problem potencial dhe shpresonte për destabilizimin e rajonit të Kaukazit Verior. Megjithatë, pavarësisht pritjeve të Kremlinit, Azerbajxhani triumfoi me mbështetjen e drejtpërdrejt të Türkiye-s. Tubacionet e gazit nuk u dëmtuan, ndërsa oreksi i Evropës për gazin azerbajxhanas nuk u zvogëlua. Me fillimin e luftës në Ukrainë, Azerbajxhani dhe Türkiye u bënë edhe më të rëndësishme për Evropën.
Roli i Türkiye-s në marrëveshjet e reja gjeopolitike
Rusët dhe perëndimorët ishin të bindur se lufta në Ukrainë do të ishte e ngjashme si ajo me Gjeorgjinë. Megjithatë, lufta mori një zhvillim të keq dhe u shndërrua në një konflikt të zgjatur. Më e keqja nga të gjitha, BE-ja ose të paktën shumica e vendeve evropiane, ulën në mënyrë dramatike konsumin e tyre të gazit rus. Në fillim Kremlini protestoi veprimet e Brukselit. Megjithatë, më vonë, Kremlini refuzoi dërgesat e gazit, për më tepër, duke supozuar se kjo do të çonte në një krizë serioze ekonomike dhe sociale. Ndërsa pasojat e mungesës së madhe të gazit në Evropë mbeten të shihen, vetvetiu kuptohet se vakumi krijoi mundësi të reja për Azerbajxhanin dhe Türkiye-n për të rritur në mënyrë dramatike dërgesat e gazit azerbajxhanas në Evropë. Azerbajxhani nuk do të ishte në gjendje të operonte pa mbështetjen e Türkiye-s, e cila ishte një si kundërpeshë e armiqve të saj Armenisë, Rusisë dhe Iranit.
Përfitimet e tjera
Konflikti i Rusisë me Ukrainën çoi në rritjen e frikës midis vendeve të ish-BRSS-së, të cilat mund të jenë në listën e Rusisë për fushata të ardhshme ushtarake. Në mesin e tyre është Kazakistani. Zyrtarët e Kremlinit kanë deklaruar shpesh se pjesa veriore e vendit ishte Siberia ruse dhe se duhet t'i kthehej Rusisë. Elita kazake i ka marrë seriozisht këto deklarata dhe është angazhuar në forcimin e marrëdhënieve me shumë vende që mund të jenë si kundërpeshë e Rusisë dhe Türkiye-s. Izolimi i Rusisë ka sjellë gjithashtu përfitime të prekshme ekonomike për Ankaranë, ku biznesmenët rusë mund të investojnë, kurse turistët rusë të vizitojnë vendin. Më në fund, Turkish Airlines u bë praktikisht dera e vetme për shumë rusë të cilët duan të fluturojnë jashtë Rusisë. Kështu, Türkiye përfiton edhe ekonomikisht si rezultat i konfliktit midis Rusisë dhe Ukrainës duke ruajtur marrëdhëniet si me Rusinë ashtu edhe me Perëndimin.
* Opinionet e shprehura në këtë artikull janë të autorit dhe nuk pasqyrojnë domosdoshmërisht politikën editoriale të Anadolu Agency
news_share_descriptionsubscription_contact
