Ata Ufuk Şeker
29 shtator 2015•Përditësim: 29 shtator 2015
BRUKSEL (AA) – Përfaqësuesit e Bashkimit Evropian dhe Kinës në Pekin kanë nënshkruar marrëveshje bashkëpunimi për zhvillimin e teknologjisë 5G, transmeton Anadolu Agency (AA).
Komisioni Evropian njoftoi se pas kësaj marrëveshje BE-ja dhe Kina së bashku do të financojnë hulumtime në sferën e teknologjisë 5G. Theksohet se BE-ja dhe Kina do të bashkëpunojnë se si të sigurojnë qasje në tregjet në botë në sferën e teknologjisë 5G.
Komisari evropian për Ekonomi dhe Shoqëri Digjitale, Günther Oettinger deklaroi se bëhet fjalë për një formë të rëndësishme të bashkëpunimit.
“Teknologjia 5G së shpejti do të jetë shtyllë e ekonomisë digjitale. Prandaj, mbështesim marrëveshjen dhe bashkëpunimin në sferën e 5g”, tha Oettinger. Ai më tej theksoi se ky është sukses i madh edhe për vetë promovimin e teknologjisë 5G.
Teknologjia 5G është hapi i radhës i evolucionit të komunikimit celular. Përveç shpejtësisë më të madhe, do të ofrojë edhe lidhjen pa tel për aplikimet, pajisjet dhe sistemet e reja, duke përfshirë edhe në shtëpi, kontroll dhe siguri në komunikacion, aplikime industrial. Aplikimi i parë komercial i teknologjisë 5G pritet në vitin 2020.