Saimir Alija
26 Mars 2019•Përditësim: 27 Mars 2019
Ministri në detyrë për Evropën dhe Punët e Jashtme i Shqipërisë, Gent Cakaj, në një deklaratë për mediat gjatë ditës së sotme tha se Shqipëria do të ndërpresë marrëdhëniet e punës me disa prej diplomatëve të saj në botë, raporton Anadolu Agency (AA).
Cakaj theksoi se për shqyrtimin e stafit të përfaqësive diplomatike ka punuar një grup i posaçëm pune, i cili sipas tij ka shqyrtuar hollësisht cilësinë e burimeve njerëzore të shërbimit diplomatik të shtetit shqiptar.
“Sot ndaj faktin se kam vendosur të shkëpus marrëdhënien me një pjesë të punonjësve që nuk përmbushin as kushtet ligjore, as profesionale për kryerjen e kësaj detyre si dhe ambicien e qeverisë për ta çuar në lartësinë e merituar përfaqësimin ndërkombëtar të Shqipërisë. Po ashtu një pjesë tjetër e punonjësve do të transferohen për të punuar, sipas nevojave reale të punës”, tha Cakaj.
Sipas tij, numri i të prekurve nga kjo iniciativë reformatore është mbi 20 punonjës.
“Sfida evropiane e Shqipërisë dhe axhenda jonë reformiste e kapërcimit të pellgut të ndenjur të së shkuarës nuk përkon kurrsesi me nepotizmin, klientelizmin politik dhe korrupsionin moral në asnjë sektor, e jo më përfaqësitë e Shqipërisë nëpër botë”, deklaroi Cakaj.
Duke folur për hapjen e dyerve të administratës shtetërore për të rinjtë e vendit, Cakaj tha: “Të rinjtë ekselentë të vendit janë një avantazh i madh që duhen shfrytëzuar me doemos për të ripërtërirë administratën tonë. Kemi gati thirrjen publike për aplikimin për vakancat e krijuara nga kjo valë pastrimi në shërbimin diplomatik. Shqipëria nuk është e miqve, nuk është e kushërinjve apo klaneve e krushqive të kujtdo qoftë, por është e të gjithëve dhe meriton të përfaqësohet nga më të dalluarit që punojnë me mendje dhe veprojnë me shpirt e shërbejnë me pasion, me kapacitetin e plotë profesional dhe moral”.
Kujtojmë se Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme e Shqipërisë njoftoi më parë se ka ndërprerë mandatin si konsull nderi të Republikës së Shqipërisë në Nigeri për Nitin Sandesara (shtetas indian) me efekt të menjëhershëm, pasi u pretendua se ai së bashku me vëllain e tij që kanë nënshtetësi shqiptare janë përfshirë në pastrim parash.
Nga ana tjetër, Presidenca e Shqipërisë njoftoi se për dhënien e shtetësisë shqiptare, shtetasve të huaj, Nitin Jayantilal Sandesara dhe Chetankumar Jayantilal Sandesara, janë zbatuar procedurat ligjore.