Fatjon Cuka
05 shtator 2022•Përditësim: 05 shtator 2022
Sesioni i ri parlamentar i Kuvendit të Shqipërisë ka filluar zyrtarisht punimet me seancën e sotme, raporton Anadolu Agency (AA).
Në seancën e hapjes së sesionit të tretë të legjislaturës së dhjetë, kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, Lindita Nikolla, lexoi mesazhin e Presidentit Bajram Begaj drejtuar deputetëve, si dhe mbajti një fjalë përshëndetëse.
Në mesazhin e presidentit Begaj theksohet se dialogu politik, gjithëpërfshirja dhe konsensusi duhet të jenë lajtmotivi i punës parlamentare.
"Për mua si president i Republikës, bashkëpunimi me Kuvendin është jo vetëm përgjegjësi e përmbushjes së detyrës kushtetuese, por më shumë se kaq është shprehje e bindjes dhe e besimit se bashkërisht mund të shpalosim një dimension tjetër qasjeje dhe sjelljeje politike, në përputhje me atë që pret shoqëria shqiptare nga klasa politike dhe nga përfaqësuesit e zgjedhur prej saj", thuhet në mesazhin e presidentit Begaj.
Më pas Nikolla në fjalën e saj përshëndetëse tha se duke qenë se vendi ka hyrë në një stad të ri të procesit të integrimit evropian, edhe roli i Kuvendit do të ketë një dinamikë të re.
"Një element i rëndësishëm i detyrimeve të Kuvendit në procesin e integrimit evropian do të jetë koordinimi i raportimit të Kuvendit në kuadër të raportit vjetor të Komisionit Evropian dhe të institucioneve dypalëshe BE-Shqipëri, si dhe ndjekja e hartimi dhe monitorimi i planit të veprimit për adresimin e rekomandimeve të Komisionit Evropian", tha Nikolla.
Kryeparlamentarja Nikolla theksoi se sesioni i ri parlamentar do të jetë sesioni i dy reformave të rëndësishme, sipas saj, reformës zgjedhore dhe reformës administrativo-territoriale.
"Shpreh besimin se komisionet e ngritura për përgatitjen e ndryshimeve ligjore të këtyre reformave të rëndësishme do të vazhdojnë punën efektive të nisur sesionin e kaluar", tha ajo.
Kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë shtoi se transparenca do të karakterizojë veprimtarinë parlamentare edhe gjatë këtij sesioni.
"Shumë shpejt do të nënshkruhet edhe memorandumi i mirëkuptimit midis Kuvendit të Shqipërisë dhe Kuvendit të Kosovës si dhe po punojmë për organizimin e mbledhjes së përbashkët të dy kuvendeve në muajin nëntor në kuadër të 110-vjetorit të pavarësisë", tha Nikolla.
Kuvendi i Shqipërisë i zhvillon punimet vjetore në dy sesione. Sesioni i parë i punimeve të Kuvendit fillon gjatë janarit, ndërsa sesioni i dytë në shtator.