Fatjon Cuka
25 Nëntor 2015•Përditësim: 26 Nëntor 2015
TIRANË (AA) - Instituti i Statistikave të Shqipërisë (INSTAT) në bashkëpunim me Fondin e Kombeve të Bashkuara për Popullsinë (UNFPA), kanë prezantuar dy studimet: “Të rinjtë në Shqipëri: Sfidat në kohët që ndryshojnë” dhe “Mplakja e Popullsisë: Situata e të moshuarve në Shqipëri”, raporton Anadolu Agency (AA).
Sipas studimit të INSTAT dinamikat e jetës kanë sjellë ulje të lindshmërisë në Shqipëri nga indeksi më i lartë në Evropë, në nivelin aktual me 1.7 fëmijë për grua. Nisur nga kjo, përbërja e popullsisë së Shqipërisë ka ndryshuar në mënyrë rrënjësore midis periudhave të censuseve të vitit 1979 dhe 2011, duke ulur numrin e të rinjve dh fëmijëve nën moshën 15 vjeç nga 37 përqind në vetëm 21 përqind të popullsisë.
Vlerësohet sipas studimeve se 225 mijë të rinj kanë emigruar në periudhën ndërmjet censusit 2001-2011, shumica në Itali dhe Greqi. Kjo shifër sipas INSTAT përfaqëson një faktor të rëndësishëm në rënien e përgjithshme të popullsisë me pothuajse 9 përqind në këtë periudhë.
Për shkak të efektit të kombinuar të rritjes së jetëgjatësisë, uljes së lindshmërisë, dhe emigrimit në rritje i të rinjve, përqindja e të moshuarve në popullsi 65 vjeç e lart, në periudhën 1989 deri në vitin 2011 është rritur nga 5 përqind në 11 përqind, evidenton studimi i dytë i Institutit të Statistikave mbi mplakjen e popullsisë.
Ermira Galanxhi, drejtoreshë e Statistikave Sociale në INSTAT foli gjatë prezantimit për rëndësinë e të kuptuarit të një transformimi të tillë të thellë demografik, si dhe për sfida sociale dhe ekonomike që transformim sjell.
Ajo u shpreh se është e rëndësishme që shoqëria shqiptare dhe politikbërësit të jenë të mirë përgatitur për këto fenomene, të cilat sipas saj do ta japin impaktin e tyre në dekadat që vijnë në fushën social-ekonomike të vendit.