Fatjon Cuka
10 Shkurt 2016•Përditësim: 11 Shkurt 2016
TIRANË (AA) – Instituti i Statistikave të Shqipërisë (INSTAT) ka prezantuar sot indeksin e çmimeve të konsumit në muajin janar 2016. Gjatë prezantimit u theksua se në muajin janar 2016 ndryshimi vjetor i indeksit të çmimeve të konsumit është 1,5 përqind, ndërsa një vit më parë ky ndryshim ishte 1,3 përqind, raporton Anadolu Agency (AA).
Drejtoresha e Statistikave Ekonomike në INSTAT, Elsa Dhuli prezantoi disa nga treguesit kryesorë të këtij indeksi, ku sipas saj indeksi i çmimeve të konsumit mat ndryshimin e çmimeve të konsumit të një shporte fikse mallrash e shërbimesh në periudhën korente krahasuar me një periudhë tjetër e konsideruar si periudha bazë.
Rritja vjetore në muajin Janar është ndikuar kryesisht nga grupi “ushqime dhe pije joalkoolike”.
Krahasuar me muajin janar 2015, rritja më e madhe e çmimeve vërehet në grupin “shërbimi arsimor” me 4,8 përqind pasuar nga grupi, “ushqime dhe pije joalkoolike” me 4,3 përqind.
Bazuar në disa kritere u përzgjodhën gjithsej 333 artikuj nga 271 artikuj që kishte shporta ekzistuese, të klasifikuara sipas klasifikimit evropian, ECOICOP.
Ndërkohë indeksi i çmimeve të konsumit përdoret si matës zyrtar i inflacionit në Shqipëri.