Fatjon Cuka
30 Mars 2017•Përditësim: 31 Mars 2017
TIRANË (AA) - Shërbimi Kombëtar i Punësimit i Republikës së Shqipërisë (SHKP) nënshkruan një marrëveshje bashkëpunimi me Institutin e Statistikave të Shqipërisë (INSTAT) me qëllim funksionimin dhe përmirësimin e cilësisë se statistikave të tregut të punës si dhe standardizimit ndërkombëtar të tyre, raporton Anadolu Agency(AA).
Marrëveshja në fjalë është nënshkruar në ambientet e Pallatit të Kongreseve në Tiranë, nga drejtori i Shërbimi Kombëtar i Punësimit, Artur Mickaj dhe drejtoresha e përgjithshme e INSTAT-it, Delina Ibrahimaj.
Ministrja e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, Olta Xhaçka, gjatë fjalës së saj pas nënshkrimit të marrëveshjes u shpreh se kjo marrëveshje nuk është thjesht një akt simbolik, por sipas saj, një progres drejt përmirësimit të cilësisë së statistikave të tregut të punës si dhe standardizimit ndërkombëtar të tyre.
"Garantojmë më shumë transparencë në dhënien e informacionit dhe mënyra për të përputhur më mirë nevojat e tregut dhe punëkërkuesve duke krijuar politikat e duhura që garantojnë zhvillim të qëndrueshëm", theksoi Xhaçka.
Drejtoresha e përgjithshme e INSTAT-it, Delina Ibrahimaj, tha se kjo marrëveshje synon të rrisë performancën e funksionimit të Sistemit Kombëtar Statistikor, duke rregulluar, sipas saj, mënyrën e organizimit të punës dhe transmetimit të të dhënave.
"INSTAT dhe SHKP do të vazhdojnë bashkëpunimin e mirë, me qëllim që të përmirësojnë cilësinë e prodhimit statistikor në përputhje me parimet e statistikave zyrtare, me qëllim që t’i përgjigjen në kohë dhe me cilësi kërkesave gjithnjë në rritje të përdoruesve", u shpreh Ibrahimaj.