Besar Ademi
02 Tetor 2015•Përditësim: 03 Tetor 2015
TETOVË (AA) – Në Universitetin Shtetëror të Tetovës (USHT) u bë hapja solemne e Seminarit të IX Ndërkombëtar të Albanologjisë, një ndër ngjarjet kryesore që zhvillon USHT dhe aktivitetet e të cilit do të realizohen gjatë dy ditëve e ardhshme, raporton Anadolu Agency (AA).
Aktivitetet e seminarit gjatë këtyre dy ditëve do të zhvillohen në sesionin e gjuhësisë, letërsisë, historisë dhe në sesionin e etnokulturës. Këto katër sesione do të kryesohen nga tema qendrore “Lokalja dhe universalja në kulturën shqiptare”.
Rektori i Universitetit Shtetëror të Tetovës, Vullnet Ameti, theksoi se ky seminar kontribuon në shkëmbimin e përvojave ndërmjet studiuesve pjesëmarrës, të cilët përmes komunikimit dhe debatit të drejtpërdrejt evidentojnë përparësitë e mundshme, me qëllim që shkenca e albanologjisë të avancojë paralelisht në më shumë lëmi të tjera.
“Ky seminar ndër vite ka trajtuar kontributin e albanologëve të huaj me studimin e gjuhës dhe të letërsisë shqipe. Ka kontribuar në marrëdhëniet e gjuhës dhe letërsisë shqipe me gjuhët tjera, në marrëdhëniet kulturore shqiptare me kulturat e tjera evropiane, në historinë tonë kombëtare dhe raportet ndërfqinjësore, si dhe në vlerat e trashëgimisë kulturore të popullit tona”, deklaroi Ameti.
Nga ana tjetër, ministri i Arsimit dhe Shkencës i Maqedonisë, Abdilaqim Ademi, në fjalën e tij tha se seminari me përmbajtjet e saj ka fituar kontributin e vërtetë shkencor, ndërsa USHT-ja ka fituar epitetin e studimit cilësor të sfidimit të argumenteve dhe fakteve shkencore.
“Seminari e ka arritur qëndrueshmërinë e vet dhe tani më duhet të sigurojmë infrastrukturën e domosdoshme, që shkenca albanologjike të mund të funksionojë krahas shkencës globale, në mënyrë që rezultatet shkencore të albanologjisë të mund të konsumohen nga shkencat globale”, deklaroi ministri Ademi.
Ministri Ademi njoftoi se deri më sot USHT ka qenë i radhitur i katërti me buxhet në mesin e universiteteve të Maqedonisë, ndërsa në vitin 2016 do të radhitet i dyti pas Universitetit të Shkupit.
Sipas sekretarit shtetëror në Ministrinë e Kulturës, Behixudin Shehabi, shkencat e albanologjisë në Maqedoni janë në një progres të vazhdueshëm. Ai njoftoi se prej 285 librave të botuara nga Ministria e Arsimit në programin vjetor të vitit 2015, 71 botime janë në gjuhën shqipe, prej të cilëve 32 me përmbajtje të gjuhës dhe letërsisë shqipe.
Në periudhën gati prej një dekade, në Seminarin Ndërkombëtar të Albanologjisë kanë marrë pjesë rreth një mijë studiues shqiptar të institucioneve të vendit, rajonit dhe ndërkombëtare nga fusha e gjuhësisë, letërsisë dhe kulturës.