Nazmi Abduramani
01 Tetor 2015•Përditësim: 02 Tetor 2015
SHKUP (AA) – Ministri i Arsimit dhe Shkencës i Maqedonisë Abilaqim Ademi së bashku me drejtorin e UNICEF-it në Maqedoni, Bertrand Desmoulins morën pjesë në aktivitetet e projektit “Ora më e madhe globale” i cili realizohet në më shumë se 100 vende të botës, raporton Anadolu Agency (AA).
Këtij projekti i është bashkangjitur edhe Maqedonia, ku ministri Ademi gjatë vizitës që ia bëri shkollës fillore “Zhivko Brajkovski” në Shkup tha se këtij projekti i janë bashkangjitur edhe nxënësit e Maqedonisë të cilët do të mësojnë për 17 zhvillimet e qëndrueshme për të cilat është duke u diskutuar edhe në selinë e Kombeve të Bashkuara për zhvillim të qëndrueshëm 2015-2030.
“Sot bashkë me drejtorin e UNICEF-it për Maqedoninë ishim në një aktivitet të përbashkët të ashtuquajtur “Ora më e madhe globale” që realizohet në më tepër se 100 vende të botës. Maqedonia i është bashkangjitur këtij aktiviteti me nismë të UNICEF-it dhe Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës, jam i lumtur që edhe Maqedonia i bashkëngjitet këtij aktiviteti dhe gjitha shkollat sot në Republikën e Maqedonisë kanë zhvilluar të ashtuquajturën ‘Ora më e madhe globale” ku nxënësit kanë mësuar 17 qëllimet globale për zhvillim të qëndrueshëm. Kjo temë është aktive edhe këtyre ditëve dhe diskutohet edhe në selinë e Kombeve të Bashkuara nga përfaqësues të vendeve të ndryshme”, tha Ademi, duke shtuar se MASH vazhdon t’i mbështesë aktivitetet e tilla ngaqë konsiderojnë se nxënësit duhet t’i mësojnë qëllimet për zhvillim të qëndrueshëm global.
Drejtori i UNICEF-it në Shkup, Bertrand Desmoulins u shpreh e gëzon fakti se po implementohet sistemi i ri për zhvillim, “Isha shumë i lumtur që vizitova këtë shkollë sot me ministrin e Arsimit dhe Shkencës dhe isha shumë i kënaqur tē shoh sesi Asambleja e Kombeve të Bashkuara po bisedon dhe implementojnē sistemin e ri për zhvillim 2015-2030 në Maqedoni”, tha drejtori i UNICEF-it në Shkup, Bertrand Desmoulins.