Besar Ademi
26 Tetor 2015•Përditësim: 27 Tetor 2015
SHKUP (AA) – Viti shkollor 2015/2016 ka filluar tashmë dy muaj, mirëpo disa shkolla në Republikën e Maqedonisë ankohen për mungesë të teksteve shkollore. Ministri i Arsimit dhe Shkencës Abdilaqim Ademi theksoi se shkollat që kanë paraqitur nevojat e teksteve në kohë të duhur janë furnizuar me libra, ndërsa ata të cilat i kanë paraqitur me vonesë, do të haset në probleme edhe në të ardhmen, raporton Anadolu Agency (AA).
Ademi deklaroi se për sigurimin e teskteve shkollore falas nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës (MASH) duhet të ndiqen disa procedura, përfshirë atë të prokurimit publik. Ai pohoi se ministria është e obliguar për të siguruar tekstet shkollore, mirëpo shtoi se nuk ka ndërmend të shkel asnjë ligj për të siguruar çfarë do materiali, pasi që ligjet duhet respektuar.
“Tekstet shkollore të cilat janë paraqitur në kohë janë distribuar, kurse tekstet shkollore ose nevojat të cilat janë paraqitur me vonesë, madje në disa raste edhe pasi ka filluar mësimi, sigurisht që aty do të hasim në vonesë edhe më tutje. Nuk do të thotë se me paraqitjen e nevojës mund të sigurohen menjëherë tekstet shkollore. Duhet të ndiqet edhe një procedurë e prokurimit publik për të cilën jemi të obliguar për ta ndjekur”, deklaroi Ademi.
Ademi theksoi se jo gjithmonë respektohen afatet kohore. Ai apeloi që kërkesat të parashtrohen në kohë dhe në sasi të duhur, me qëllim që ministria që drejton ai të kryejë obligimet mbi furnizimin e shkollave me tekste shkollore. Ai poashtu bëri të ditur se pengesat në fjalë paraqiten në të gjitha shkollat e Maqedonisë, pa dallim ato maqedonase apo shqiptare.
“Shumica e shkollave kanë bërë kërkesa në komunë të ketë përjashtime dhe ato nuk janë në bazë të gjuhëve apo përkatësive etnike, por bëhet fjalë për të gjitha shkollat në Maqedoni”, theksoi Ademi.