Fatjon Cuka
07 Shtator 2016•Përditësim: 07 Shtator 2016
TIRANË (AA) - Shpallja e listës paraprake të fituesve në universitet ka shkaktuar pakënaqësi në radhët e maturantëve në Tiranë, por edhe në qytetet e tjera të vendit, raporton Anadolu Agency (AA).
Qindra maturantë të cilët nuk janë renditur si fitues në listën paraprake të fituesve nga universitetet kanë protestuar sot përpara godinës së kryeministrisë, duke kundërshtuar në këtë mënyrë edhe procesin e reformës në arsimin e lartë.
Maturantët protestues kërkojnë ndryshimin e sistemit të pranimeve për në universitetet e vendit, duke theksuar se shumë prej tyre me rezultate të larta nuk kanë arritur të klasifikohem si fitues, brenda kuotave.
Në protestën e zhvilluar në Tiranë kanë marrë pjesë edhe maturantë nga qytete të tjera të Shqipërisë, të cilët kundërshtojnë mënyrën e përzgjedhjes së fituesve nga universitetet.
Ndërkohë në lidhje me këtë situatë, ka reaguar edhe Ministria e Arsimit dhe Sportit, ku nëpërmjet një deklarate thekson se konkurrenca në fazën e parë është shumë e lartë pasi maturantët me rezultatet më të larta mund të jenë fitues deri edhe në 10 programe.
"Lista përfundimtare vetëm për fazën e parë do të publikohet më datë 20 shtator nga çdo universitet. Pas kësaj date secili prej jush do të informohet mbi kuotat e lira për të cilat do të mund të aplikoni sërish", thuhet në deklaratën e Ministrisë së dhe Sportit.
Universitet kanë shpallur këto ditë listat paraprake të fituesve, por kjo ka rezultuar me pakënaqësi në radhët e maturantëve në të gjithë vendin.