Sibel Vezaj
05 Shtator 2016•Përditësim: 05 Shtator 2016
PRISHTINË (AA) - Në Kosovë sot ka filluar viti i ri shkollor 2016-2017, në të gjitha shkollat fillore, të mesme të ulëta dhe të mesme të larta. Me këtë rast ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Arsim Bajrami, vizitoi nxënësit e shkollës fillore dhe të mesme të ulët “Meto Bajraktari” në Prishtinë, raporton Anadolu Agency (AA).
Ministri Bajrami u shpreh se sot janë hapur klasat e shkollave fillore dhe të mesme për rreth 270 mijë nxënës. Ai bëri të ditur se Ministria e Arsimit së bashku me drejtoritë komunale ka bërë të gjitha përgatitjet e nevojshme, ku shtoi se edhe procesi i furnizimit të nxënësve me tekste shkollore do të përfundojë gjatë kësaj jave.
“Ishte shumë emocionues takimi me nxënësit e klasës së parë, ku kemi 26 mijë fillorist. Le të jetë ky një vit ku të gjithë së bashku, mësimdhënësit, arsimtarët, drejtorët e prindërit do të mobilizohemi për të ndërtuar një sistem cilësor të arsimit”, u shpreh ministri Bajrami.
Ai njoftoi se të gjitha institucionet shkollore të arsimit para universitar në Republikën e Kosovës sot orën e parë të mësimit ia kushtuan shenjtërimit të Nënës Terezë, duke theksuar se kjo nuk e cenon laicitetin.
Arbërie Negavci, drejtoreshë e Arsimit në Komunën e Prishtinës, duke uruar vitin e ri shkollor u shpreh se “Kjo është një ditë e veçantë sidomos për filloristët dhe fatosat që për herë të parë u ulën në bankat shkollore, dhe ne si komuna e Prishtinës kemi ndërmarrë të gjitha aktivitetet në përmirësimin infrastrukturës dhe plotësimin e të gjitha nevojave, në mënyrë që shkollat t’i plotësojnë kërkesat dhe standardet për t’i ofruar nxënësve atë që më së shumti kanë nevojë”.
Ndërkohë drejtoresha e shkollës "Meto Bajraktari", Valbona Kastrati, u shpreh se në këtë ditë të vitit të ri shkollor arsimtarët kanë ardhur tejet të motivuar për punë, duke theksuar se vetëm mbi bazën e bashkëpunimit mund të arrihet përpara.
Viti i ri shkollor në Kosovë i cili ishte planifikuar të fillonte me 1 shtator, ishte shtyrë për më 5 shtator nga Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë.