Fatjon Cuka
20 Prill 2016•Përditësim: 20 Prill 2016
TIRANË (AA) – Në ditën kur po zhvillohen zgjedhjet për organet drejtuese në universitetet publike shqiptare, një grup studentësh kanë protestuar në Tiranë, në shenjë bojkoti për këto zgjedhje, si dhe për të kundërshtuar ligjin e arsimit të lartë i miratuar vitin që kaloi, raporton Anadolu Agency (AA).
Studentët protestues nën organizimin e lëvizjes “Për Universitetin” janë mbledhur në sheshin “Nënë Tereza”, pranë korpusit qendror të Universitetit të Tiranës, ku ndodhen edhe zyrat e rektoratit të këtij universiteti.
%2F20160420_2_15591769_7840942.jpg)
Përfaqësuesja e lëvizjes “Për Universitetin”, Liri Kuçi, në një prononcim për mediat gjatë protestës deklaroi se sot janë mbledhur për të shprehur kundërshtimin e tyre për zgjedhjet në universitetet publike dhe për të kundërshtuar tarifat e larta të studimeve. “E njëjta burokraci universitare synon riforcimin e pushtetit të saj. Sot ne bojkotojmë sepse jemi të përjashtuar, sepse kërkesat tona për gjithëpërfshirje, ulje tarifash vazhdojnë të shpërfillen nga qeveria. Ne protestojmë mbi të gjitha kundër futjes së certifikatës së gjuhës së huaj për studimet master. Protestojmë kundër ligjit të arsimit të lartë që e redukton votën studentore në vetëm 10 përqind dhe i largon studentët nga vendimmarrja në universitet"- u shpreh Kuçi.
Gjatë muajve të fundit studentët kanë realizuar disa protesta për të kundërshtuar ligjin e miratuar të arsimit të lartë, i cili sipas tyre, nuk ju garanton atyre një arsimim të barabartë. Ndërkohë sot në të gjitha universitete publike në vend po organizohen zgjedhjet për postet drejtuese, si për rektor, dekan dhe shefa departamentesh. Në këto zgjedhje stafet akademike përfaqësojnë 90 përqind të votës, ndërsa studentët 10 përqind dhe pikërisht kjo ndarje kundërshtohet nga studentët.
Ligji “Për arsimin e lartë dhe kërkimin shkencor në institucionet e arsimit të lartë në Republikën e Shqipërisë” që u miratua vitin që kaloi konsiderohet nga Qeveria Shqiptare si një nga reformat e ndërmarra nga ana e saj në fushën e arsimit të lartë. Ndërkohë ligji në fjalë ka hasur edhe në kundërshtimin e opozitës, por edhe të disa grupimeve të studentëve dhe pedagogëve.