Fatjon Cuka
19 Prill 2016•Përditësim: 19 Prill 2016
TIRANË (AA) – Konferenca me temë "Reforma e Arsimit të Lartë në Shqipëri: Financimi i Arsimit të Lartë dhe Shërbimet Universitare", ka mbledhur së bashku ekspertë të fushës, diplomtë të huaj dhe përfaqësues të lartë nga Ministria e Arsimit dhe Sportit të Shqipërisë, raporton Anadolu Agency (AA).
Ministrja e Arsimit dhe Sportit të Shqipërisë, Lindita Nikolla, në fjalën e saj përshëndetëse në këtë konferencë u shpreh se do të sigurohet që ky financim të shkojë aty ku performohet më mirë, dhe aty ku cilësia është më e mirë. "Roli i arsimit të lartë është jetik dhe bazë për ta kthyer realisht mundësinë e çdo studenti që studion në institucionet tona të arsimit të lartë, publik apo privat të krahasueshme dhe të barasvlershme, për nga cilësia dhe vlera e diplomës me çdo bashkëmoshatar nga vendet e Bashkimit Europian"- u shpreh Nikolla.
Ndërsa ambasadori i Britanisë së Madhe në Shqipëri, Nicholas Cannon u shpreh se sistemi i reformuar arsimor e bën Shqipërinë një vend më të mire.
Konferenca në fjalë ka patur në fokus sfidat që parashtron reforma e ndërmarrë në këtë fushë dhe ligji për arsimin e lartë, menaxhimin e aplikimeve në universitete për vitin e ardhshëm akademik, etj.
Ligji “Për arsimin e lartë dhe kërkimin shkencor në institucionet e arsimit të lartë në Republikën e Shqipërisë” që u miratua vitin që kaloi konsiderohet nga Qeveria Shqiptare si një nga reformat e ndërmarra nga ana e saj në fushën e arsimit të lartë. Ndërkohë ligji në fjalë ka hasur edhe në kundërshtimin e opozitës, por edhe të disa grupimeve të studentëve dhe pedagogëve.