Besar Ademi
17 Maj 2017•Përditësim: 18 Maj 2017
SHKUP (AA) – Mandatari për formimin e Qeverisë së Republikës së Maqedonisë, kreu i Lidhjes Social Demokratike të Maqedonisë (LSDM), Zoran Zaev, pas pranimit marrjes së mandatit nga presidenti Gjorge Ivanov, deklaroi se do të përpiqet që të krijojë kabinetin qeveritar në kohë sa më të shkurtër të mundur, raporton Anadlu Agency (AA).
Zaev para rezidencës presidenciale “Villa Vodno” në një deklaratë për media theksoi se qeveria e re do të jetë proevropiane dhe do të sigurojë jetë cilësore për të gjithë qytetarët duke respektuar multietnicitetin dhe Marrëveshjen Kornizë të Ohrit.
“Qeveria e re reformuese do të ndërtojë Maqedoni qytetare, unitare dhe evropiane. Të gjitha forcat do t’i drejtojmë në ndërtimin e një shteti të drejtësisë, të sigurojmë jetë cilësore për të gjithë qytetarët e Maqedonisë me mirëkuptim reciprok për të respektuar multietnicitetin e shtetit dhe Marrëveshjen Kornizë”, deklaroi Zaev.
Zaev apeloi tek të gjithë qytetarët që t’i mënjanojnë dallimet dhe urrejtjet, që bashkërisht të punojnë për të ardhmen e vendit. “Kishim shpresë dhe besim se zëri i unifikuar dhe i larmishëm i Maqedonisë është zëri i Maqedonisë unitare. Sot e kemi atë konfirmim, një shoqëri për të gjithë është koncepti i të ardhmes së Maqedonisë”, u shpreh Zaev.
Zaev rreth pyetjes se për sa kohë pret që të formohet qeveria e re, theksoi se edhe pse afati është 20 ditë shpreson që ta formojë kabinetin qeveritar për më pak se dhjetë ditë. Ai tha se do të bisedojë me Bashkimin Demokratik për Integrim (BDI), Lëvizjen BESA dhe Aleancën për Shqiptarët, që të gjithë të jenë pjesë, siç tha ai, e qeverisë së re reformuese.
Presidenti i Republikës së Maqedonisë, Gjorge Ivanov, sot i dha mandatin për formimin e Qeverisë kreut të LSDM-së, i cili në afat prej 20 ditësh Kuvendit duhet t’i dorëzojë programin qeveritar dhe ta propozojë përbërjen e re qeveritare.
Të premten e ardhshme skadonte afati për dhënien e mandatit pasi presidenti Ivanov kërkoi nga Zaev t’i dorëzojë garanci për ruajtjen e unitaritetit të shtetit.
Dhënia e mandatit vijoi pasi presidenti Ivanov mori lajmërim nga kryeparlamentari Talat Xhaferi se është formuar shumica parlamentare. Presidenti Ivanov më herët refuzonte t’i jap mandatin shumicës së re të kryesuar nga LSDM-ja dhe kërkonte garanci për ruajtjen e unitaritetit të shtetit dhe respektimit të kushtetutës.