Figen Shaban
06 Shkurt 2018•Përditësim: 06 Shkurt 2018
PRISHTINË (AA) - Vizita e kryeministrit të Malit të Zi, Dushko Markoviç në Kosovë e cila ishte paraparë të realizohet sot është anuluar për shkak të kushteve meteorologjike, raporton Anadolu Agency (AA).
Zëdhënësja e Qeverisë së Kosovës, Donjeta Gashi bëri të ditur se kushtet atmosferike, gjegjësisht moti me mjegull e ka bërë të pamundur vizitën e kryeministrit Markoviç në Prishtinë.
Në kuadër të kësaj vizite pritej takimi i dy delegacioneve qeveritare Kosovë – Mali i Zi ndërsa pas takimit do të mbahej edhe konferenca e përbashkët për media e dy kryeministrave Haradinaj- Markoviç.
Kryeministri malazez pritej të zhvillonte një takim edhe me kryetarin e Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli.
Kujtojmë se vizita e Markoviç pritej të ndodhë në një kohë kur Kuvendi i Kosovës pritet të vendos rreth Marrëveshjes për shënimin e kufirit me Malin e Zi.
Ratifikimi i Marrëveshjes për demarkacionin e kufirit mes Kosovës dhe Malit të Zi, është nënshkruar më 26 gusht të vitit 2015 në Vienë ndërmjet dy shteteve dhe është miratuar nga pala malazeze, mirëpo ende nuk është ratifikuar në Kuvendin e Kosovës. Zgjidhja e demarkacionit me Malin e Zi është kriter nga Komisioni Evropian (BE) për përfshirjen e Kosovës në liberalizimin e vizave.
Markoviç para vizitës së tij në Kosovë ka deklaruar se çështja e demarkacionit për Malin e Zi është e mbyllur meqë ajo tashmë e ka ratifikuar marrëveshjen e demarkacionit.